Nëse publikoni këto gjëra në rrjetet sociale, marrëdhënia juaj mund të ketë probleme

Marrëdhëniet në çift kanë gjithnjë atë anën e bukur, por dhe njëkohësisht delikate, sidomos kur bëhet fjalë për të qenë në fokus të syve të tretë. Ka disa gjëra që nuk duhet absolutisht t’i publikoni në rrjetet sociale, pasi konsiderohen mjaft të dëmshme për ju dhe raportin tuaj. Sipas studimeve, ja cilat janë momentet që nuk duhet të ndahen më ata që ju ndjekin.

Çfarë ndodh mes jush

Dihet që marrëdhëniet kanë uljet dhe ngritjet e veta dhe gjatë këtyre momenteve nuk duhet të gaboni duke publikuar gjithçka. Momentet e lumturisë janë ndonjëherë të papërmbajtshme dhe doni t’i tregoni gjithë botës se sa duheni dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por mendoni pak, a i intereson botës dashuria juaj? Pse duhet ta dinë sa duheni dhe që po shkon gjithçka mirë? Nga ana tjetër, e njëjta gjë vlen kur ziheni dhe keni problem. Pse duhet të publikoni shprehje depresive me nënkuptime për partnerin tuaj nëpëmjet rrjeteve sociale? Pse njerëzit duhet ta dinë problemin tuaj? Në vend t’i bini rrotull kësaj situate, është më mirë të diskutoni nga afër problemet që keni sesa të zgjidhni këtë mënyrë të tërthortë. Në fund të ditës, mendoni vetëm që askujt nuk i intereson realisht nëse ju jeni apo jo mirë me partnerin tuaj. Kjo gjë është dhe duhet të mbetet private.

Mbani për vete informacionet personale mbi partnerin tuaj

Nëse keni një nofkë apo informacion personal mbi partnerin tuaj, nuk duhet ta publikoni kudo. Ju lejoni në këtë mënyrë që gjithkush të jetë shikues dhe dëshmitar i asaj që po ndodh mes jush. Kjo, sipas Dr. Jim Seibold, një konsulent martesash, mund të ndikojë në besimin e çiftit tek njëri-tjetri. Partneri juaj ndoshta nuk dëshiron të bëjë publike detajet e raportit tuaj dhe nëse ju e bëni, mund të shkaktojë probleme të tjera.

Të mbani foto delikate në telefonin tuaj

Nuk është e çuditshme nga rastet e shumta që kanë ndodhur, që dikush t’jua vjedhë telefonin personal dhe të ketë akses në fotot e ndryshme që mund të keni. Është bukur të ruani momente të ndryshme qesharake ose intime së bashku, por në vend që t’i ruani ato në telefonin tuaj, mund t’i ngarkoni në kompjuterin personal ose CD, duke evituar kështu ndonj rrezik të mundshëm.

Të publikoni puthjet tuaja

Askush nuk dëshiron të shohë dy gjuhë që bashkohen në rrjete sociale. Është një çast kaq intim saqë realisht nuk keni nevojë ta ndani me askënd. Kështu, ju i hapni derën njerëzve për të komentuar, gjykuar apo paragjykuar marrëdhënien tuaj. Kjo nuk sjell asgjë të mirë për ju.

Të publikoni dhuratat e shtrenjta

Të merrni dhurata të shtrenjta sigurisht për çdo femër është kënaqësi e veçantë, por mos harroni që në mënyrë të tillë, duke i publikuar ato në rrjetet sociale, ju bën të hapur ndaj rreziqeve të tjera. Kim Kaardashian për shembull, u piketua nga hajdutët, pikërisht për shkak të jetës mondane që shfaq në rrjetet sociale. Gjithçka duhet publikuar me limit. Askush nuk ka pse ta dijë sa e shtrenjtë është çanta që keni blerë apo këpucët që ju dhuruan. Kjo hyn tek gjërat që nuk duhet t’I ndani e ata që nuk kanë asnjë ndikim në jetën tuaj.

Të bëni publike ndarjen

Është njësoj si gjërat e lartpërmendura. Njësoj vlen me faktin kur krijoni një lidhje të re. Pse duhet të shfaqni në rrjetet sociale partnerin tuaj? Nuk keni nevojën e konfirmimit me like ose komente për të marrë miratimin se shkoni së bashku. E njëjta gjë ndodh dhe me ndarjen tuaj. Në momentin që një marrëdhënie ka marrë fund, nuk keni pse publikoni shprehje inati, zhgënjimi apo indinjate kundrejt partnerit, duke i dhënë material dhe informacion gjithkujt në jetën tuaj se çfarë ka ndodhur me ju. Në fund të fundit, para se të publikoni çdo lloj gjëje, pyesi veten: A duhet ta dinë të gjithë këtë që po bëj dhe përjetoj?!

Jeni ju që keni në dorë manaxhimin e jetës suaj, prandaj mos i servirni njerëzve të panjohur ose të largët informacione personale. Jetojini dhe shijojini për veten tuaj dhe miqtë e afërt.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu