Ambasada Gjermane në Kosovë, u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të arrijnë një konsensus për ta ratifikuar sot marrëveshjen me Malin e Zi. Thonë se ky është një hap vendimtar drejtë arritjes përfundimtare të heqjes së vizave.
Thirrje të pa ndalura janë duke bërë ambasadat e huaja në Kosovë që t’i jepet zgjidhje pas tre vjetësh demarkimit Kosovë – Mal i Zi.
Sot, për gazetën Express, kësaj thirrjeje i është bashkëngjitur edhe ambasada Gjermane.
Këta të fundit e ritheksojnë edhe njëherë rëndësinë që ka zgjidhja e kësaj situate për qytetarët e Kosovës, posaçërisht për vizat.
“Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkimin e kufirit është një hap vendimtar drejtë arritjes përfundimtare të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Me ngulm inkurajojmë partitë politike të bashkëpunojnë dhe të arrijnë një konsensus”, shprehet kjo ambasadë.
Tutje e bëjnë të ditur se arritja e një konsensusi është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe duhet të merret si përgjegjësi e përbashkët për këtë vend.
Edhe ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, kërkoi nga anëtarët e Parlamentit që në seancën e sotme të votohet kundër izolimit dhe pro të ardhmes për vendin.
Nga ana tjetër, seanca është paraparë të mbahet sot nga ora 10:00. Nuk dihet nëse janë arritur votat e nevojshme për ta kaluar marrëveshjen.
Memli Krasniqi, nga PDK tha të martën, se janë siguruar 78 vota, derisa theksoi se duhen edhe dy vota.










