Netanyahu: Populli i Izraelit dhe ai i Kosovës mund të arrijnë shumë bashkë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i është drejtuar popullit të Kosovës me një letër me rastin e festës së Vitit të Ri hebraik. Netanyahu ka thënë se zhvillimet e fundit mes Izraelit dhe Kosovës mund të jenë fillim i një epoke të re nga e cila do të përfitojnë popujt e dy vendeve. Ai ka thënë se ia zgjatë dorën e miqësisë popullit të Kosovës.

“Në këtë Vit të Ri, e zgjat dorën time të miqësisë për popullin e Kosovës. Zhvillimet e fundit mes Izraelit dhe Kosovës mund të jetë një fillim i një epoke të re nga e cila do të përfitojnë popujt e dy vendeve. Jam optimist se mund të arrijmë aq shumë duke punuar së bashku dhe është shpresa ime e sinqertë se do ta shohim këtë të realizohet. E vlerësoj thellësisht angazhimin e vazhdueshëm të komunitetit hebraik në Kosovë për të na bërë më afër”, thuhet në letër.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë manifestimit të mbajtur ka thënë se ky Vit i Ri hebraik shënohet me njohjen reciproke mes dy vendeve.

“Më lejoni të uroj edhe unë vit të mbarë për të gjithë popullin izraelit. Është kënaqësi të festojmë së bashku vitin e ri hebraik. Uroj që gjatë ditëve festive të keni pasurim shpirtëror. Kësaj radhe viti i ri është i posaçëm është festë që shënon njohjen reciproke Kosovë-Izrael. Ne do të vendosim së shpejti marrëdhëniet tona miqësore me shtetin mik”, ka thënë Hoti.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, po ashtu ka folur për lidhjen mes dy vendeve. Ajo ka thënë se nuk ka në botë dy popuj që i kuptojnë më mirë vuajtjet e njëri tjetrit sesa ai izraelit dhe i Kosovës.

“Në frymën e kësaj feste uroj që besimi miqësia solidariteti të jenë udhërrëfyes për të gjithë ne. Për një kohë të gjatë por në veçanti 7 dekada më parë populli j Kosovës por të gjithë shqiptarët i qëndruan pranë popullit hebraik. Nuk ka dy popuj që i kuptojnë vuajtjet e njëri tjetrit me mirë se sa popujt e Kosovës dhe Izraelit”, ka thënë Osmani.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se njohja shtetërore mes Kosovës dhe Izraelit do të jetë hapi i parë i miqësisë mes popullit të Kosovës dhe atij të Izraelit.

“Më lejoni të ju shpreh urimet e mia dhe të subjektit që përfaqësoj për vitin e ri hebraik. Ne në këtë festë hebraike me gjithë zemër urojmë mbarësi për të gjithë. Njohja shtetërore mes Kosovës dhe Izraelit do të jetë hapi i parë i miqësisë mes popullit të Kosovës dhe atij të Izraelit E shkuara na mëson që të bashkëpunojmë për paqe”, ka thënë Kurti.

Përmes një videomesazhi i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka uruar vitin e ri hebraik. Ai ka përshëndetur njohjen mes dy vendeve, Kosovës e Izraelit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu