Nga “fuçi baruti” në një“motor” zhvillimi: Si mund të shndërrohet Ballkani Perëndimor

Administrata e Joe Biden ia ka bërë të qartë Evropës se Amerika është rikthyer në skenën globale. Dhe kjo nuk është askund më e qartë sesa në Ballkanin Perëndimor. Urdhri ekzekutiv i fundit i Biden që e cilëson luftën kundër korrupsionit si një interes të madh të sigurisë kombëtare, dhe memorandumi shtesë që nënvizon gatishmërinë e tij për të vendosur masa ndëshkuese ndaj individëve në Ballkanin Perëndimor,ka tronditur shumë udhëheqës në rajon.

Pas një neglizhence të madhe, ne kemi parë pasoja katastrofike në rajon. Nga prapambetja diplomatike, aktivitetet destabilizuese të Rusisë dhe Kinës, dhe deri tek prirja e udhëheqësve për t’i shkëputur popullatat e tyre nga reformat aq të nevojshme, dhe duke zgjedhur rikthimin e çështjeve të pazgjidhura e të trazuara të tre dekadave të fundit, mbi nevojat më të menjëhershme që kanë sot njerëzit.

Por në Ballkanin Perëndimor janë shumë gjëra në lojë. E rëndësishme, është që pas më shumë se një dekade shpërqendrimi nga ngjarje të tjera gjeopolitike, Bashkimi Evropian është rikthyer sërish në lojë.

Si Machiavelli ashtu edhe Winston Churchill,janë shprehur se nuk duhet lejuar në asnjë rast që të shkojë dëm një krizë. Udhëheqësit në Ballkanin Perëndimor do të ishin më të qetë po të mos e merrnin parasysh fare këtë koncept.

Ballkani Perëndimor është në krizë, dhe tani ka ardhur koha të përfitohet nga përafrimi aktual i interesave të Bashkimit Evropian dhe Amerikës. Kjo mundësi nuk mund të shpërdorohet. Ne kemi parë në të shkuarën, se si ngjarjet gjeopolitike mund ta ndryshojnë shumë shpejt fokusin e fuqive të mëdha.

Shembuj të qartë janë shpërqendrimet që shkaktoi kriza financiare globale e vitit 2008, Pranvera Arabe, kriza në Libi, aneksimi i Krimesë, Ukrainës, Brexit, ndryshimi i administratës amerikane, dhe e fundit por jo më pak e rëndësishmja, pandemia e Covid-19.

Thënë thjesht:udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor kanë një mundësi unike, të cilën nuk duhet që ta shpërdorojnë. Raportet vërejnë se aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor ra me mbi 6 për qind vitin e kaluar për shkak të pandemisë Covid-19, rënie që i përkeqësoi problemet ekzistuese strukturore.

Ndikimi i pandemisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është një studim klasik i rastit kur shtetet e brishta bartin mbi shpinë barrën e valëve të tronditjes ekonomike, dhe ofron disa leksione për qeveritë mbi rëndësinë e ndërtimit të ekonomive që të kenë një shkallë më të lartë të rezistencës ndaj vështirësive të jashtme.

Aktualisht, shumica e ekonomive të rajonit nuk kanë diversitetin ekonomik të nevojshëm për të përballuar krizat ekonomike. Shumë prej ekonomive i mbijetuan pandemisë, por rimëkëmbja nuk do të jetë e njëtrajtshme në të gjitha shtresat e shoqërisë.

Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, grupimet më të prekshme do ta ndiejnë më shumë rënien ekonomike, dhe pengesat do të kërkojnë vite për të zhdukur. Për shembull, deri më sot 150.000 vende pune kanë humbur dhe 300.000 njerëz janë zhytur në varfëri. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk po funksiononin mirë as përpara pandemisë.

Në pamje të parë duket sikur shumica e vendeve kanë treguar prirje të moderuar të rritjes në dy dekadat e fundit, por ato nuk janë ekonomi normale të ekuilibruara. Pjesa më e madhe e gjërave pozitive është përmirësuar nga një përzierje e dërgesave të parave nga punëtorët në emigrim, qytetarët që punojnë brenda ekonomive informale dhe së fundmi nga një dimension shtesë i një sasie në rritje të pastrimit të parave që po rrit çmimet e pasurive të patundshme.

Ndërsa përqindjet e mëdha të popullsisë së rajonit dëshirojnë të përqendrohen tek perspektivat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, arritja në atë pikë është vështirësuar nga paaftësitë e qeverive të njëpasnjëshme gjatë dy dekadave të fundit.

Investimet mbi reformat strukturore janë injoruar vazhdimisht mbi rajon. Ekonomia informale i privon qeveritë nga të ardhurat shumë të nevojshme, ndërsa dërgesat e parave nga emigrantët që ushqejnë ekonomitë e rajonit, dhe u japin një jetese familjeve janë një kontribues i mëtejshëm i ekonomisë informale.

Këto çështje themelore janë ndërlikuar nga nivelet e larta të korrupsionit,të cilat i shtohen sfidave të tjera të vetë-imponuara. Ballkani Perëndimor, ka potencialin për një rritje ekonomike të shpejtë, të lidhur lehtësisht me tregun e përbashkët të BE-së.

Por zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, mund të arrihet vetëm nëse fokusi është tek forcimi i institucioneve për të krijuar një mjedis miqësor ndaj biznesit,me rregullat të forta të sundimit të ligjit, për të tërhequr seriozisht investime të huaja direkte.

BE-ja është edhe përfituesi por edhe investitorja më e madhe në ekonominë globale. Ballkani Perëndimor ka marrë vetëm 0.6 për qind të investimeve të BE-së në ekonominë globale (13 trilionë dollarë aksione investimesh, që përbëjnë 33 për qind të investimeve të huaja në total.)

Rajoni ka tani përpara një shans të ri për shkak të post Covid-19. Këta dhe faktorë të tjerë janë brenda aftësisë së udhëheqësve për t’u adresuar. Reformat institucionale, duhet të jenë në krye të rendit të ditës. Adresimi i i këtyre sfidave nuk është një“shkencë raketash”. Ajo çka duhet është shumë e qartë.

Shembujt përfshijnë promovimin e reformës në gjyqësor, dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në ballë të qeverisjes. Luftimi i korrupsionit dhe promovimi i reformës institucionale, është brenda mundësisë dhe fuqisë së udhëheqësve të rajonit, dhe mund të ndodhë vetëm nëse ata mund të shfaqin guximin për të dëshmuar vullnet politik.

I takon lidershipit politik që të bëjë zgjedhje të vështira,nga të cilat në fund të fundit do të përfitojnë vendet dhe qytetarët e tyre. Po aq e rëndësishme është njohja që komuniteti transatlantik dhe mbështetja e tij po presin të nënshkruajnë për ta bërë rajonin një sukses. Megjithatë, Amerika dhe BE nuk mund ta dëshirojnë suksesin më shumë se sa udhëheqësit e vetë rajonit.

Nga Joseph Vann & Valbona Zeneli, Modern Diplomacy


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu