Sa ishte në opozitë, Albin Kurti si lider i Lëvizjes Vetëvendosje bënte premtime të shumta për qytetarët, e një nga këto premtime tejet të njohura është edhe bashkimi kombëtar, për të cilin sot çuditërisht Kurti “u zmbraps” kur tha se nëse do ketë ndonjëherë referendum do votonte pro bashkimit, duke ia lënë stafetën dikujt tjetër e duke harruar se iniciativa e ideja për këtë bashkim kishte ardhur nga partia të cilën ende e udhëheq.
Kurti, mbahet mend me deklaratat e tij pro-bashkimit, duke i numëruar arsyet se përse duhej të ndodhte ky bashkim, madje duke e ndërlidhur atë me Bashkimin Evropian, derisa i shtonte vlerat e përfitimet që do kishin qytetarët nëse dy shtete si Kosova e Shqipëria bëhen bashkë.
Temë që ekzistonte kudo në Lëvizjen Vetëvendosje, e proklamohej nga lideri i kësaj partie.
Por çuditërisht, Kurti sot bëri një hap prapa.
Ai në një intervistë për mediumet e huaja, nuk mori iniciativën. Nuk tha se bashkimi kombëtar do realizohej se s’bën ndryshe. Madje nuk tha se qeveria e tij do e realizonin këtë, pasi qeveritë e tjera nuk e kanë bërë siç thoshte në 2014.
“Unë besoj që një qeveri e ardhshme VETËVENDOSJE!-s do ta bënte edhe këtë gjë, ndërkohë që me qeveritë e pasluftës nuk e kemi parë deri më tash. Besoj që dallimet midis Kosovës dhe Shqipërisë, ndarjet ekzistuese midis Kosovës dhe Shqipërisë, mirëmbahen prej atyre që përfitojnë financiarisht dhe ekonomikisht nga kjo gjë“, ishte deklarata e Kurtit para tetë viteteve.
Sot kryeministër, ai bëri një deklaratë krejtësisht tjetër. Ai tha se do votonte pro referendumit nëse do mbahej ndonjëherë.
Madje e konkretizoi edhe më tej atë, duke kërkuar “referendum paqësor e demokratik“.
“Nëse do të kishte dy referendume njerëzit do të votonin për bashkim. Unë jam kryeministër këtu që fitoi mbi premtimin për punë dhe drejtësi dhe punësim për rininë. Në këtë mandat ky është prioriteti im, por në të ardhmen sigurisht që nuk do ta përjashtoja mundësinë, megjithatë mendoj se për një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, mënyra më e shpejt dhe më e mirë përpara në të ardhmen është që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në BE përnjëherë, disa s’duan të hyjnë në NATO por Kosova po. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete por kemi të njejtën gjuhë dhe jemi një komb. Kur e deklaruam pavarësinë, e deklaruam kundër Serbisë dhe jo kundër Shqipërisë. Në anën tjetër ka shumë qytetarë në BE që kanë shtetësi të dyfishtë. Mendoj që ka edhe shumë që kanë tri pasaporta, dhe i inkrurajoj që të votojnë në të gjitha vendet ku janë qytetarë dhe kanë shtetësi”, tha ai.
Por le të bëjmë një krahasim mes deklaratës së sotme të kryeministrit të vendit tashmë, dhe qëndrimin e tij si opozitar.
“Unë bëj pjesë tek ata që mendojnë se shtetet i kemi të dobëta për shkak se janë të ndara. Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë ka një përmasë traumatike, ndërkaq në anën tjetër ndarja që ka ekzistuar na ka pamundësuar të bashkojmë kapacitetet njerëzore, burimet natyrore, ti njësojmë sistemet politiko-institucionale, të bëhemi treg më i madh, dhe kjo të përkthehet në mirëqenie më të madhe për gjithë qytetarët“, thoshte Kurti në një debat të hapur në 2017, duke polemizuar madje me këdo që e kundërshtonte këtë ide.
E për këtë sot kanë reaguar analistë e njohës të çështjeve politike. Ata e kanë konsideruar një ndryshim qëndrimesh, pra nga dicka lehtë e realizueshme dhe vetë-inciativë në pritje se kush do e marrë iniciativën e më pas do gjej përkrahje edhe nga vetë kryeministri Kurti.









