Nga veriu në jug: Vendet më të lira dhe më të shtrenjta në Shqipëri

Operatorët turistikë vlerësojnë se këtë vit ka pasur një qëndrueshmëri të çmimeve në raport me një vit më parë.

Bregdeti ka ruajtur prirjen e vet tradicionale ku zonat e konsideruara të lira e shoqërojnë këtë jo vetëm me pjesën e akomodimit por edhe të shërbimeve të tjera restorante, bare dhe shezlongë ashtu sikurse janë të njëjtat zona që konsiderohen të shtrenjta prej vitesh.

Sipas operatorëve të tregut, Velipoja mbetet vija bregdetare më e lirë në gjithë vendin me struktura akomoduese që ofrojnë çmimet që nisin nga 2000 lekë deri në 4000 lekë për person.

Një pjesë e mirë e këtyre hoteleve po ofrojnë menu të tipit half board (mëngjes dhe darkë) dhe strukturat janë të kategorisë 1 deri në 3 yje që kryesisht i frekuentojnë turistët nga Kosova.

Shëngjini është pak më i shtrenjtë nga 10-20% më shumë se Velipoja.

Fillimisht ai ishte destinacioni i parë i polakëve dhe çekëve, por së fundmi ka humbur këtë klientelë. Operatorët nënvizojnë se vetëm fundjavave ka ngjallëri të përgjithshme në gjithë vijën bregdetare, ndërsa gjatë javës gjysma e shezlongëve janë bosh.

Për të zbritur më poshtë në Durrës, shkëlqimi i zonës së Golemit lidhet ngushtë me faktin që preferohet për shkak të afërsisë që ka me Aeroportin e Tiranës. Turistët nordikë, polakë dhe gjermanë preferojnë të udhëtojnë me charter dhe të kalojnë pak kohë në autobusë. Distanca nga Tirana në Durrës është e tillë që tolerohet.

Divjaka, përmes disa strukturave të veçanta, ka nisur të ofrojë shërbimet all inclusive kundrejt paketave 50 euro personi ndërkohë që vetëm hoteli për një dhomë standarde dyshe luhatet mes 20 dhe 50 euro.

Për të zbritur më tej në Vlorë. Kjo e fundit në raport me një vit më parë mbetet në të njëjtat nivele, por në raport me Durrësin më e shtrenjtë, sidomos kur merr parasysh përfshirjen e Jalit apo Dhërmiut.

Zonat me çmime më të përballueshme në Vlorë janë Radhima dhe Orikumi ku mund të gjesh edhe dhoma me 30 euro. Gjithsesi, ka një lloj diference për dhomat afër detit dhe për ato më të distancuara, që sigurisht janë më të shtrenjta. Ashtu sikurse ka një diferencë mes dhomave në struktura akomoduese të regjistruara dhe ato që ushtrojnë aktivitetin në informalitet.

Jali dhe Dhërmiu, edhe pse ofrojnë ekstremet e sipërme me çmime deri në 200 euro nata, ofrojnë edhe mundësi të lira. Por ajo që sërish i bën të shtrenjta si destinacione janë shërbime të tjera që lidhen me shezlongun që në disa raste shkon edhe 10 mijë lekë të reja, apo baret dhe restorantet. Frekuentues të Vlorës dhe Jugut janë kryesisht kryeqytetasit, emigrantë shqiptarë që jetojnë jashtë apo italianët, gjermanët dhe polakët por në mënyrë të paorganizuar. Arsyet pse ende nuk kemi një masivizim në këtë zonë është çështja e transportit.

Saranda është e dyta pas Durrësit për turizmin e organizuar. Lidhur me strukturat akomoduese, çmimi mesatar minimal është 40 euro nata ndërsa ai mesatar maksimal, është 110 euro nata.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu