India ka nënshkruar marrëveshje në vlerë prej pesë miliardë dollarë (rreth 4.35 miliardë euro) për blerjen e pesë sistemeve mbrojtëse kundërajrore ruse S-400, pavarësisht kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës se do të vendosin sanksioneve vendeve që tregtojnë me sektorin mbrojtës dhe të inteligjencës të Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri indian, Narendra Modi të premten, në New Delhi nënshkruan marrëveshje, por biseduan edhe për energjinë bërthamore dhe ekonominë.
India i ka kërkuar SHBA-ve të heqë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë mbi aneksimin e Krimesë dhe ndërhyrjen e saj të dyshuar në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016.
Muajin e kaluar SHBA-të nuk kursyen sanksionet ndaj Kinës për shkak të blerjes së sistemeve raketore S-400 dhe avionëve luftarak.
– “Marrëdhëniet e dobishme Rusi-Indi janë pjesë e partneritetit strategjik”
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se bashkëpunimi tekniko-ushtarak nuk kufizohet vetëm në furnizimin me armë ruse në Indi.
“Vendet tona sigurojnë zhvillimin dhe prodhimin e përbashkët të produkteve moderne ushtarake”, është shprehur Putin, gjatë konferencës së përbashkët për mediat të zhvilluar pas takimit me kryeministrin Modi, thuhet në një deklaratë nga Kremlini.
Putin tha se kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh në fusha të ndryshme për të përmirësuar marrëdhëniet midis Rusisë dhe Indisë.
Duke theksuar se i kushtojnë rëndësi të veçantë bashkëpunimit në çështjen energjetike, Putin tha se Rusia është një furnizues i besueshëm i energjisë për Indinë. Ai u shpreh se kanë diskutuar për rritjen e kapacitetit të centralit bërthamor Kudankulam që Rusia dhe India kanë ndërtuar së bashku dhe shtoi se në kuadër të marrëveshjes brenda 20 viteve në central do të vihen në veprim gjithsej 12 njësi.
Po ashtu Putin ka bërë të ditur se Rusia do të ndihmojë Indinë edhe në çështjen e kërkimeve të hapësirës, ku Roskosmos do të marrë pjesë në projektin e dërgimit të një anije hapësinore kombëtare të Indisë.
“Ne diskutuam në detaje të ardhmen e bashkëpunimit tekniko-ushtarak. Rusia dhe India janë angazhuar me sukses në këtë fushë për vite me radhë. Marrëdhëniet e ngushta dhe reciprokisht të dobishme midis vendeve tona janë bërë pjesë integrale e partneritetit strategjik Rusi-Indi. Bashkëpunimi ynë në fushën ushtarako-teknike nuk kufizohet vetëm në furnizimin me armë ruse”, tha Putin.
Ndërsa kryeministri indian Modi tha se India i kushton një rëndësi të veçantë marrëdhënieve me Rusinë dhe se takimi që kanë kryer i ka dhënë një shtysë të re partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Duke shtuar se Rusia në çështjen e energjisë ka bashkëpunuar gjithmonë me Indinë, Modi tha se “Objektivi ynë i ri është zhvillimi në fushën e hapësirës dhe të dërgojmë kozmonautët indianë në hapësirë brenda kuadrit të programeve tona. Ne shpresojmë që Rusia do të na mbështesë në këtë drejtim”.









