Njihuni me UÇK-në e Vetëvendosjes

Si argument bazik i një poli të politikës së Kosovës për zgjedhjet e javës së ardhshme po përforet lufta çlirimtare dhe natyrisht UÇK-ja.

Kjo pasi Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-PDK-Nisma, po i mëshon qënies së komandantëve të UÇK-së në këtë subjekt politik, ku në radhë të parë fut veten si një nga drejtuesit e rezistencës së armatosur.

Ky nuk duhej të ishte një argument politik.

UÇK-ja, për shkak të shumë specifikave jo-politike që e vendosin në tjetër kontekst, nuk duhej ngatërruar me politikën e ditës. Askush nuk ia mohon trimërinë Ramushit, Veselit apo Limajt; por intelektin dhe aftësinë për të drejtuar një shtet, sigurisht që po. Ata, veç armëve, në kaq vite paqe ende nuk kanë mundur të bindin opinionin se çfarë janë të aftë të bëjnë, në një kuptimin dhe profesional.

Por le ta marrim për një moment luftën, pra UÇK-në, si kriter politik. Le ta shohim këtë treshe përballë Vetëvendosjes. Si qëndron kjo e dyta në raport me epikën e luftës?

Vetëvendosja si subjekt politik konkurues në 11 qershor për shembull, është po aq përfaqësuese e kauzës së UÇK-së qoftë në frymë, qoftë në burimet njerëzore të saj.

Kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes është ikona simbolike e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës që shërbeu si përfaqësues i saj në zemër të Prishtinës e në zemër të pushtetit ushtarak serb.

Albini ka zhvilluar si zëdhënës i UÇK-së të njëjtën betejë frontale, qoftë edhe më të madhe me pushtuesin, duke i sjellë shqiptarëve të Kosovës erën e rezistencës në qendrën e saj.

Albin Kurti ështtë i burgosuri i parë dhe më i rëndësishëm i rezistencës së armatosur nga regjimi serb. Dhe vetëm ndërhyrja e fortë ndërkombëtare e ruajti atë nga zhdukja apo vrasja.

Ukshin Hoti, ideologu politik i rezistencës dhe një nga shtyllat e frymës së Vetëvendosjes u zhduk pa nam e pa nishan nga regjimi i Millosheviçit, duke kryesuar listën e tmerrshme të të zhdukurve, për të cilët ka bërë aq pak pushteti zyrtar i Kosovës që nga viti 1999 kur u çlirua vendi.

Ndërkaq, një tjetër figurë heroikë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye të Vetëvendosjes është gjeneral Rexhep Selimi, deputet tashmë prej disa mandatesh i Kuvendit të Kosovës dhe një nga figurat primare të luftës .

Rexhep Selimi ka qenë njëri prej pjesëtarëve të UÇK-së që u paraqitën për herë të parë në publik si përfaqësues të rezistencës. Është historike dalja e gjeneral Selimit më 28 nëntor 1997 kur gjatë një ceremonie mortore u shpall botërisht shfaqja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në varrrimin e mësuesit Halit Geci, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi shpallën luftën e armatosur si një opsion i shqiptarëve të Kosovës deri në çlirimin e plotë të saj.

Gjeneral Selimi ka qenë Kreu i Drejtorisë së Operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm të Kosovës.

Ai po ashtu ka qenë pjesë e grupit fillestar të UÇK-së në Drenicë dhe bashkëluftëtar i dorës së parë i Adem Jasharit. Janë legjendare tashmë fotot e gjeneral Selimit me grupin e Drenicës së bashku me Adem e Hamzë Jasharin e bashkëluftëtarë të tjerë.

Po ashtu, deputet i Vetëvendosjes ka qenë edhe Florin Krasniqi, i cili u bë i famshëm sepse mblodhi në SHBA 30 milionë dollarë nga shqiptarët e Amerikës dhe i solli në Kosovë për armatime dhe municione, së bashku me batalionin “Atlantiku” që ishte njësi e përbërë nga emigrantët shqiptarë në SHBA. (shih foto kryesore, Florim Krasniqi në një dyqan armësh në SHBA).

Vetëvendosje gjithashtu është përbërë nga qendra në të gjithë seksionet e saj nëpër Kosovë pikërisht nga aktivistët dhe nismëtarët e luftës së armatosur.

Askush e aq më pak koalicioni AAK-PDK dhe Nisma nuk mund të monopolizojë kontributin dhe përfaqësimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aq më pak duhet të ndodhë kështu, pasi disa prej komandantëve që u veshën me pushtet pas 1999-s, e prishën imazhin e UÇK-së nga hijet e dyshimet për abuzimet me fondet publike apo pasurimit të beftë marramendës.

Ndërkohë që këtë njollë Vetëvendosja nuk e ka, pasi nuk ka pasur asnjëherë pushtet politik.

I vetmi pushtet që ka kjo lëvizje është komuna e Prishtinës, për të cilën debatohet shumë për efikasitet apo jo, por nuk ka pasur asnjëherë dyshime dhe akuza për abuzim.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është pjesë e historisë, e kujtesës dhe e krenarisë shqiptare. Ashtu si kulla e Jasharajve në Prekaz që pret e përcjell të gjithë pa dallim, duhet që të ruhet edhe imazhi dhe përfaqësimi i luftës për liri.

Askush s’mund ta përdorë atë si “carta bianca”, se nëse hapet loja del dhe zbuluar. Historia e djeshme është e mbushur edhe heronjtë e të sotmes por edhe të ardhmes…/tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu