‘Nuk heqim dorë’, Vuçiq provokon me hartën e Kosovës me flamurin e Serbisë

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq zhvilloi një deklaratë për mediat paraditen e së dielës në Beograd, ku ka folur për çështjet e pazgjidhura me Kosovën. Vuçiq ka paraqitur disa foto, në njërën prej të cilave ishte një bluzë me hartën e Kosovës dhe mbi të flamuri serb me mbishkrimin, që do të thotë nuk heqim dorë.

Gjatë fjalës së tij, ai tha se nuk ka qenë kurrë në një situatë më të komplikuar dhe më të vështirë për Kosovën sesa sot.

Sipas Vuçiqit, ka ardhur koha për të kërkuar që shqiptarët të vijnë në vete dhe serbët të mos reagojnë ndaj provokimeve.

Unë po kërkoj gjithashtu nga përfaqësuesit e vendeve të fuqishme që t’i kushtojnë pak vëmendje të drejtës ndërkombëtare dhe realitetit në terren dhe të mos lejojnë të mbrojturit e tyre të shkaktojnë konflikt. Unë kërkoj dhe lutem që të ruhet paqja. Unë kam zhvilluar shumë bisedime që nga mbrëmja, veçanërisht me Lajçakun, nëse dikush mendon se 17 marsi mund të ndodhë përsëri, nuk do të ndodhë”, tha ai.

Ndër të tjera, Vuçiq e cilësoi si të pakuptueshme vendimin e qeverisë së Kosovës për reciprocitet për targat e automjeteve dhe dokumentet.

Nga data 1 gusht deri më 30 shtator 2022, në Kosovë do të fillojë organizimi i procesit për regjistrimin e targave ilegale në ato “RKS”, në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve.

Gjithashtu, nga e hëna, shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një ‘dokument hyrje/dalje’.

Kosova brenda territorit të saj i bën të pavlefshme dokumentet e lëshuara nga autoritetet serbe, si masë reciprocitetit ndaj shtetit që nuk i njeh dokumentet identifikuese të lëshuara nga Kosova.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu