Nutricionisti: Ja dobitë që i ka trupi nga agjërimi

Muaji i shenjtë i Ramazanit po afrohet drejt fundit dhe shumë prej agjëruesve janë të interesuar të dinë dobitë që ka trupi i njeriut nga agjërimi. Sipas nutricionistit, doktor Agron Rexhepi, agjërimi në trupin e njeriut ka efekte të shumta.

Ai në një intervistë dhënë për Gazetën Observer iu është përgjigjur pyetjeve që kanë bëjnë me këtë muaj.

– Cili është ndikimi i agjërimit në fizikun e njeriut?

Rexhepi: Meqenëse krijesa njeri përbëhet nga komponenta trupore (komponenta fizike) dhe shpirtërore (komponenta psikike) që të kemi një shëndet të mirë sigurisht se është e domosdoshme që të arrihet një mirëqenie e këtyre dy komponentëve. Vetëm në një trup të shëndetshëm do të kemi një shpirt të shëndetshëm, e kur këto dy komponente të jenë të ekuilibruar atëherë edhe njeriu do të jetë i pranueshëm për shoqëri (komponenta sociale) dhe anasjelltas.
Me argumente shkencore mund të vërtetohet se nuk ka obligim që Zoti i ka bërë njeriut e ai obligim të mos jetë në tërësi në të mirë të njeriut. Kur është fjala për ndikimin e agjërimit në shëndetin e njeriut hulumtimet tregojnë se nuk ka qelizë trupore në të cilën agjërimi nuk ndikon. Prej se ekziston njeriu ka agjëruar në forma të ndryshme, qoftë me qëllim të kryerjes së obligimit që i është bërë nga Krijuesi i tij (në të gjitha religjionet ne forma të ndryshme bëhet agjërimi), qoftë për qëllime mjekësore (Hipokrati, Sokrati, Galeni, Paracelsiusi nga kohët e mëhershme, si dhe shumica e mjekëve të tanishëm e preferojnë forma të ndryshme të agjërimit si metodë kuruese). Hulumtimet tregojnë se agjërimi ka ndikim në tërë organizmin, por ne do të përmendim disa prej tyre:
-Shkrirjen e masës dhjamore dhe detoksifikimin e organizmit (me shkrirje të masës dhjamore lirohen dhe largohen toksinat e deponuara më herët);
-Sistemin nervor: ndikon në lirimin e dy mediatorëve të fuqishëm: eukefalina dhe endorfina që kanë ndikim të fuqishëm në funksionimin e sistemit nervor dhe në gjendjen e përgjithshme shpirtërore (përmirëson gjendjen e depresionit, i ngadalson problemet e Alzheimerit);
-Sistemin kardiovaskular: zvogëlon punën e zemrës për afërsisht 13000-14000 të rrahura në ditë, duke inhibu sistemin nervor vegjetativ (pjesa e simpatikusit) zvoglon metabolizmin bazal dhe bënë zgjerimin e eneëve të gjakut me çka shkaktohet një rënje e lehtë e shtypjes së gjakut;
-Zvogëlon punën e mëlçisë për 5-6 orë në ditë;
– Zvogëlon nivelin e lipoproteinave me dendsitet të ultë (në popull e njohur si kolesteroli i keq);
-Ka ndikim qetësues te sindroma e zorrëve të irituara;
-Ka ndikim lehtësues te sëmundjet reumatizmale dhe artritet;
-Duke e fuqizuar epshin seksual ndikon në tejkalimin e problemeve të impotencës;
-Te një numër i madh i sëmundjeve malinje ka treguar ndikim inhibues dhe shkatërrues në zhvillimin e qelizave malinje.

– Në aspektin shkencor çka nënkuptojme me agjërim?

Rexhepi: Nga aspekti shkencor me agjërim nënkuptojmë një formë të dietës, e cila karakterizohet me abstenim të përkohshëm nga një lloj, disa lloje apo të gjitha ushqimet. Ndërkaq, agjërimi në islam nënkupton edhe më shumë se kaq. Në islam për një kohë të caktuar agjëron e tërë qenia e njeriut (komponenta shpirtërore dhe trupore): agjëron goja, syri, veshi, trupi, mendja, si dhe abstenim i plotë për kohë të caktuar nga marrëdhëniet intime ndërmjet bashkëshortëve. Gjithashtu agjërimi ka ndikim te madh në solidarizimin dhe humanitetin ndërmjet njerëzve si dhe në socializimin e tyre.

– Çfarë hulumtime janë bërë që tregojnë për dobitë e agjërimit në fizikun e njeriut?

Rexhepi: Janë bërë shume hulumtime shkencore që në tërësi kanë dhënë rezultate të njejta. Mjafton të përmendim hulumtimin e doktorit amerikan Herbert Shelton, i cili për 50 vite ka hulumtuar ndikimin e agjërimit në mbi 40000 persona.

– Për cilët persona ndalohet agjërimi?

Rexhepi: Meqenëse qëllimi i agjërimi është të fuqizohet shëndeti psiko-fizik i njeriut, ka disa raste kur nuk preferohet:
Çdo person i sëmurë tek i cili agjërimi kishte me ndiku në shtyrjen e procesit të shërimit apo përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore;
Sëmundjet malinje të mëlçisë;
Shtatëzënat dhe lehonat.

– Cilat janë ushqimetqë duhet t’i konsumojnë agjëruesit?

Rexhepi: Gjatë agjërimit duhet me i kushtu rëndësi marrjes së mjaftueshme të lëngjeve (30ml/kg + 10-12% e peshës trupore), si dhe marrjes së ushqimit të shpërndarë në disa racione. Ushqimi duhet të merret në sasi të pakët dhe shpesh. Në iftar mos të ngarkohet organizmi me ushqime të shumta dhe hiperkalorike. Gjatë syfyrit nuk preferohet çaji i zi, i gjelbërt, i bardhë, kafja, dhe as ëmbëlsirat. Nga iftari në sufur t’i kushtohet rëndësi marrjes së mjaftueshme të lëngjeve, pemëve dhe perimeve (por duhet pasur kujdes kohen kur mirren dhe përzierjen e tyre – për shkak se mund të japin shqetësime dhe probleme në tretje).

– Cilat janë këshillat që duhet t’i ndjekin sportistët?

Rexhepi: Ushtrimet e lehta të bëhen pasdite, ndërsa ushtrimet me intenzive të bëhen pas iftarit. Të ushqehen dhe hidratohen si duhet dhe nuk do të kenë asnjë problem as me shëndet e as me performancat e tyre morfo-funksionale. Këtë e kanë vertetuar hulumtimet serioze të bëra nën mbikqyrjen e FIFA-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu