NZZ: Gjermania duhet ta detyrojë Vuçiqin ta frenojë Dodikun

Perëndimi, para së gjithash Gjermania, duhet ta detyrojë presidentin serb Aleksandar Vuçiq të ndihmojë në qetësimin e krizës në Bosnjë e Hercegovinë dhe ta frenojë Milorad Dodikun, i cili së shpejti do të mbetej i vetëm pa marrëdhënie të ngushta me Beogradin, shkruan sot Neue Zuericher Zeitung (NZZ).

Në një koment kushtuar krizës në BeH, e cila rrezikon të shkaktojë shpërbërjen e shtetit, e përditshmja zvicerane shtron pyetjen se çfarë mund të bëjë Perëndimi.

Sanksionet ndaj Dodikut dhe mbi të gjitha ndaj mjedisit të tij të biznesit janë një mjet i sprovuar. Biznesmenët që e mbështesin me siguri nuk do të ishin të lumtur nëse do të mbyllnin llogaritë në bankat e huaja dhe nëse do të mund të kalonin pushimet vetëm në Mal të Zi.

Megjithatë, Dodik e sheh këtë rrezik, shkruan e përditshmja, duke shtuar se për këtë arsye e ka vizituar presidentin rus Vladimir Putin në Moskë në fillim të këtij muaji, i cili e sheh liderin e Republika Srpskas si një “mundësi të mirëpritur për ta irrituar Perëndimin”.

Por Republika Srpska nuk është Transnistria. Dodik do të bëhej menjëherë një mbret pa vend nëse do t’i vendoste të gjitha shpresat e tij në Rusi. Qytetarët do t’i iknin masivisht, vlerëson gazeta, e cila shkruan se tani Perëndimi duhet ta detyrojë presidentin serb Aleksandar Vuçiq që ta frenojë kolegun e tij nga ana tjetër e Drinës. Një pjesë e mirë e kapitalit politik të Dodikut bazohet në marrëdhëniet e ngushta me Beogradin. Nëse do të ftoheshin, Dodik do të mbetej shpejt vetëm, shkruan e përditshmja zvicerane.

Sipas NZZ, Vuçiq “sillet në mënyrë ambivalente ndaj Bosnjë-Hercegovinës” dhe “nga njëra anë vazhdimisht thekson sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit fqinj” dhe në të njëjtën kohë “lejon ministrin e tij të mbrojtjes Aleksandar Vulin të flasë për ‘botën serbe’”.

NZZ shkruan se Vuçiq deri më tani është mbrojtur më së shumti nga gjermanët dhe se tek ai shpresonte ish-kancelarja Angela Merkel, duke pritur që ai të sillte normalizimin e marrëdhënieveme Kosovën.

“Kjo nuk ndodhi. Qeveria e re gjermane dhe mbi të gjitha Ministrja e Jashtme e Gjelbër, Analena Berbok, ndoshta do të tregohen më pak të butë me njeriun e fortë të Serbisë. Vuçiq tani duhet të inkurajohet qartë për të ndihmuar në qetësimin e situatës në BeH”, shkruan NZZ.

Gazeta përfundon se kriza në Bosnjë është në të njëjtën kohë një “sinjal i qartë për Bashkimin Evropian” dhe se “derisa Brukseli dhe kryeqytetet të kujdesen për rajonin, konfliktet do të bëhen më të shpeshta atje”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu