“Open Balkan” në parlamentin serb, Rama online, në takim përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së

Dy ditë para mbledhjes së përbashkët të dy qeverive Kosovë-Shqipëri, në Beograd do të diskutohet sërish për Ballkanin e Hapur, por tashmë edhe me praninë e SHBA-së dhe BE-së. Takimin Edi Rama do ta mbajë nga zyra e tij në Kryeministri.

Nga tryezat trepalëshe, Open Ballkan do të zbresë në Parlamentin serb. Nismëtarët Vuçic, Zaev dhe Rama do të shpjegojnë ecurinë e marrëveshjeve të firmosura si dhe çfarë pritet të ndodhe me krijimin e tregut të përbashkët në rajon.

Në këtë takim të posaçëm pritet të marrë pjesë i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perendimor Gabriel Escobar si dhe përfaqësuesi i BE-së Miroslav Lajçak, i cili ndodhet në Beograd.

Edhe pse ishte parashikuar të ishte i pranishëm fizikisht, Kryeministri shqiptar nuk do të udhëtojë drejt Beogradit, por fjalën e tij do ta mbajë online nga zyra e tij.

Pavarësisht kundërshtimit të Kosovës për të qenë pjesë e kësaj nisme të Ramës, Vuçiç dhe Zaev, SHBA dhe BE e kanë mbështetur Ballkanin e Hapur, por duke nënvizuar faktin se është e rëndësishme përfshirja e 6 vendeve të rajonit.

Ky takim mbahet 2 ditë para mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri, e cila do të zhvillohet në Elbasan të premten me 26 nëntor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu