Osmani: Shkupi ka paraqitur kandidaturë për kryesimin e OSBE-së në vitin 2023

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një konferencë për media njoftoi rreth aktiviteteve në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe atij multilateral, me fokus në anëtarësimin e vendit në Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC).

Në konferencën tematike për media të mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Osmani njoftoi se këtë javë, më 9 nëntor, Maqedonia e Veriut zyrtarisht u bë anëtare e organizatës BSEC. “Vetëm për ilustrim, kjo organizatë përfshin dy kontinente dhe lidh ekonomikisht mbi 350 milionë njerëz. Organizata mbulon tre rajone të ndryshme, Ballkanin, Kaukazin dhe Detin e Zi, me një sipërfaqe prej 20 milionë kilometrash katrorë dhe vlen të përmendet se vëllimi i tregtisë brenda BSEC-it është afërsisht 170 miliardë dollarë në vit. Është me rëndësi të theksohet se BSEC-i është burimi i dytë më i madh i naftës dhe gazit natyror në rajonin e Gjirit Persik, duke e bërë atë një nga furnizuesit kryesorë të energjisë për Evropën Perëndimore”, deklaroi Osmani.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut i renditi ato për sa i përket fushave të bashkëpunimit midis vendeve anëtare të organizatës, të cilat janë tregtia dhe zhvillimi ekonomik, bankat dhe financat, komunikimi, energjia, transporti, bujqësia dhe agro-industria, kujdesi shëndetësor dhe farmaceutik, mbrojtja e mjedisit, turizmi, si dhe shkenca dhe teknologjia.

Sipas Osmanit, përfitimet e BSEC-it nuk i referohen vetëm anëtarësimit në një organizatë të strukturuar dhe hapjes së një kanali të komunikimit ekonomik midis vendeve anëtare, por edhe zbatimit të projekteve të përbashkëta. Kjo, siç tha ai, është më e dukshme përmes krijimit të një fondi për zhvillimin e projekteve në sektorë të ndryshëm të organizatës.

“Çdo planifikim i ardhshëm i mega-projekteve në fushën e infrastrukturës ose energjisë që do të burojë gjeografikisht nga BSEC-i, ne do të jemi në gjendje t’i ndjekim ato nga afër dhe të përfshihemi si përdorues. Sigurisht që krijon kushte dhe mundësi të reja për tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe për krijimin e potencialit shtesë për bizneset vendase, veçanërisht për ato që janë të orientuara drejt eksportit”, tha Osmani.

Ai shtoi se katër nga pesë vendet fqinje të Maqedonisë së Veriut janë tashmë anëtare të BSEC-it, gjë që, sipas tij hap më tej mundësi për të vepruar së bashku si fqinjë dhe si një rajon i veçantë brenda kësaj organizate, duke mbrojtur interesat rajonale. BSEC u themelua në vitin 1992 në Stamboll të Turqisë. Anëtarët e BSEC-it janë Turqia, Shqipëria, Azerbajxhani, Bullgaria, Armenia, Gjeorgjia, Moldavia, Rumania, Rusia, Serbia, Ukraina dhe Greqia, ndërsa nga 9 nëntori zyrtarisht edhe Maqedonia e Veriut.

Më tej, Osmani njoftoi se Maqedonia e Veriut ka paraqitur një kandidaturë për kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2013. “Këtë mëngjes, unë i shkrova një letër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili është kryesues aktual i OSBE-së, në mënyrë që zyrtarisht kandidatura jonë të vendoset në axhendën e takimit të dhjetorit të organizatës. Maqedonia e Veriut në vitet e fundit ka bërë përparim të madh drejt respektimit të plotë të vlerave të përbashkëta mbi të cilat bazohet OSBE-ja, siç janë të drejtat e njeriut, demokracia, sundimi i ligjit dhe zhvillimi i modelitetit të marrëdhënieve ndër-etnike siç edhe thuhet në të gjitha raportet përkatëse ndërkombëtare”, deklaroi Osmani.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu