“Pa drejtësi, s’ka qetësi”, protesta para gjykatës në Tetovë për spitalin modular

Në Tetovë sot u mbajt protesta për drejtësi për zbardhjen e të vërtetës për djegien e spitalit modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 veta.

“Sot jemi mbledhur para Prokurorisë dhe Gjykatës për të shprehur mllefin e qytetarëve për manipulimin dhe shtrembërimin e procesit gjyqësor për tragjedinë e 8 shtatorit, ku u dogjën të gjallë 14 bashkëqytetarë tanë. Për 5 vite, kemi 4 tragjedi, 97 viktima dhe ZERO ditë burg. Prandaj edhe besimi në sistemin e drejtësisë të këtij shteti është ZERO.

Jeta e qytetarëve është bërë peng i pazareve dhe tendereve pa kritere. U pa se korrupsioni vret. Nga ky proces u vërtetua që Prokuroria dhe Gjykata janë pjesë dhe mbrojtës të krimit të organizuar që e mban peng shtetin”, theksuan organizatorët e protestës nga Lëvizja qytetare “Më mirë për Tetovën”.

Ata kërkojnë nga Qeveria që urgjentisht ta shkarkojë Kryeprokurorin Joveski dhe ai bashkë me prokurorët tjerë të përfshirë në këtë vepër monstruoze të përgjigjen penalisht.

“Kërkojmë të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin, tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë Brako. Pa drejtësi nuk do të ketë qetësi!”, theksuan protestuesit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu