Pacolli është bërë pishman, i lyp pagat që s’i mori sa ishte në Qeveri

Behgjet Pacolli shpesh është krenuar se nuk merr as pagë e as mëditje nga shteti. Por tani, kur nuk është pjesë e Qeverisë, ai ka kërkuar që t’i kompensohen pagat që nuk i ka marrë. Bashkëpunëtorë të Pacollit kanë arsyetuar këtë kërkesë e në Qeveri nuk kanë dhënë shpresë se kompensimi do t’i bëhet

Behgjet Pacolli është bërë pishman që pati hequr dorë nga pagat në kohën sa ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Tani i ka kërkuar Qeverisë që t’ia japë totalin e shumës që nuk e ka marrë.

Në emër të Pacollit kërkesën për kompensimin e pagave e ka bërë Jetlir Zyberaj. Ky ish-këshilltar i Pacollit e ka konfirmuar informatën dhe ka dhënë një justifikim,

“E para, aty është një gabim i sekretarisë së Ministrisë, ngase ato paga që sikurse secilit ministër i kanë takuar edhe zotit Behgjet Pacolli, që nga fillimi i mandatit në 2017 janë destinuar për studentë që marrin bursa nga fondacioni ‘Behgjet Pacolli’”, i ka thënë KOHËS Zyberaj.

“Ka qenë dakordim në fillim të mandatit që pagat të kalojnë direkt në fondacionin ‘Behgjet Pacolli’ që t’u shpërndahen studentëve që janë pjesë e programit të fondacionit”.

Zyberaj ka thënë se shkresa me të dhënat e llogarisë ku duhej alokuar mjetet ishte përcjellë nga emaili zyrtar, e për ta dëshmuar këtë ka thënë të mos ketë mundësi tani, meqë nuk ka më qasje në atë email.

Sipas tij, Ministria nuk kishte mundur që pagat t’i alokonte në llogarinë e fondacionit dhe se këtë tek tash e ka kuptuar Pacolli.

“Sipas sekretarisë (që nuk na ka informuar), ka qenë e pamundur, ngase paga nuk mund të shkojë në llogari të askujt tjetër por të personit, dhe këtë informacion nuk na e kanë dhënë deri në fund, kurse fondacioni ka vazhduar me pagesat e rregullta mujore nga buxheti i z. Pacolli”, ka thënë Zyberaj. “Pra, sa për sqarim, kërkesa për pagesën e mjeteve në emër të pagës, e cila natyrisht i ka takuar z. Pacolli, u dedikohet bursave të studenteve të fondacionit ‘Behgjet Pacolli’. Besoj që kjo çështje do të kryhet shpejt”.

Pacolli ka refuzuar të flasë për kërkesën, me të cilën do që shteti t’ia kompensojë jo pak para. Ai i do pagat për 17 muaj e që përkasin me periudhën 9 shtator 2017 – 3 shkurt 2020.

Nëse kërkesa pranohet, shteti do t’ia alokojë 42 mijë e 500 euro. Kjo ngaqë Pacolli krahas që ishte ministër i Punëve të Jashtme, ishte edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e Ramush Haradinajt, e cila me ta marrë mandatin i kishte dyfishuar pagat për anëtarët e kabinetit qeveritar. Paga e zëvendëskryeministrit ishte 2 mijë e 500 euro.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk kanë treguar se si do t’i përgjigjen Pacollit.

E, ndonëse kërkesën nuk e kanë në shqyrtim, në Zyrën e Kryeministrit kanë përmendur referenca ligjore, të cilat nuk lënë hapësirë për kompensime të kësaj natyre.

“Sipas legjislacionit në fuqi, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe procesimi i tyre për në listën e pagave (në Thesar/Ministria e Financave) është kompetencë e vetë organizatës buxhetore, në këtë rast e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Zyrës së Kryeministrit.

“Ndarjet buxhetore për kategorinë e pagave (sikur edhe kategoritë e tjera) janë për një vit fiskal dhe ato skadojnë me përfundimin e vitit”.

Në jo pak raste, Pacolli krenohej me faktin se nuk merr pagë nga shteti.

Në vitin 2018 ai kishte shpërndarë një fotografi në të cilën kishte vendosur dy fjali: “Unë nuk e di çka janë mëditjet. Paga ime shkon për bursa të studentëve”.

Por është një dokument që e demanton. Në formularët e deklarimit të pasurisë pikërisht për të njëjtin vit, ai ka thënë t’i ketë arkëtuar si mëditje nga Qeveria rreth 10 mijë euro.

Pacolli kishte deklaruar se edhe udhëtimet jashtë vendit i bënte me aeroplan privat dhe se edhe shpenzimet gjatë qëndrimit jashtë i kryente nga xhepi i tij.

Por, brenda një periudhe prej rreth dy vjetësh sa e ka ushtruar funksionin e ministrit të Punëve të Jashtme, Pacolli dhe stafi politik i Ministrisë i kanë shpenzuar 775 mijë euro në aviobileta, e 127 mijë euro në reprezentacion e dreka. Pacolli si i vetëm i ka harxhuar 100 mijë euro vetëm për akomodim e ushqim në vizita jashtë vendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu