Shtetet e Bashkuara janë të bindura se ka përfshirje të palëve të treta dhe aktorëve të jashtëm në skenën politike malazeze, tha sot Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Matthew Palmer, transmeton InfoShqip.
“Ne jemi plotësisht të bindur për përfshirjen e palëve të treta, aktorë të jashtëm në skenën politike malazeze, duke përfshirë përhapjen e dezinformatave përmes internetit” – i tha Palmer TV malazez Vijesti kur u pyet për të komentuar ndërhyrjen e pretenduar të Serbisë në punët e brendshme në Mal të Zi.
Palmer mirëpriti si pozitive disa nga hapat e ndërmarra nga qeveria aktuale në Mal të Zi, duke përmendur si një shembull heqjen e Ministrit të Drejtësisë dhe të Drejtave të Pakicave Vladimir Leposavic për shkak të, siç pretendon ai, “mohimit të gjenocidit” dhe miratimit të një rezolute mbi Srebrenica.
Ai tha se qeveria dhe opozita në Malin e Zi duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të zbatojnë reformat e nevojshme dhe vlerësoi se ishte e rëndësishme që vendi të udhëhiqej nga përfaqësues të zgjedhur nga populli në mënyrë që të përparonin interesat e tyre.
“Mendoj se e kemi parë qartë në rastin e shkarkimit të Ministrit Leposavic, i cili përfshinte bashkëpunimin midis elementëve të koalicionit qeverisës, Qeverisë dhe DPS të opozitës. Eshtë një tregues i mundësisë që opozita dhe partitë në pushtet të gjejnë një gjuhë të përbashkët kur është e nevojshme. “Duke parë të ardhmen, disa reforma kryesore do të duhet të miratohen, jo vetëm nga koalicioni qeverisës, por edhe me mbështetjen e opozitës,” tha Palmer.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara, si partnerë dhe aleatë, do të bashkëpunojnë me presidentin dhe qeverinë malazeze në mënyrë që të përparojnë qëllimet e përbashkëta, duke përfshirë reformat që do ta sjellin Malin e Zi më pranë anëtarësimit në BE, raporton “Vijesti“./InfoShqip.com









