Pandeli Majko: “Nuk e kam kuptuar, pse shqiptarët i bashkon lufta e i ndan paqja?”

“Në Kuvendin e Shqipërisë sot pritet të votohet rezoluta “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, e propozuar nga një grup deputetësh të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Në debatin për rezolutën ka folur edhe deputeti Pandeli Majko, i cili tha se këto kërkesa të Partisë Demokratike vinin në pikëpyetje qëndrimin e mëparshëm të shtetit shqiptar për këtë çështje.

Majko tregoi se qëllimi i rezolutës të propozuar nga Partia Socialiste është ndërmarrja nga shteti shqiptar në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i veprimeve për rishikimin e Rezolutës së vitit 2011 për të ashtuquajturin “trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe në Kosovë”.

Ai ka folur edhe për luftën në Kosovë, duke përmendur masakrat dhe dëbimin e gati një milion shqiptarëve të Kosovës, transmeton Zeri.info.

Në fjalën e tij, Majko duke përmendur krimet serbe në Kosovë, tha se nuk e ka kuptuar pse shqiptarët i bashkon lufta dhe i ndaj paqja.

“Ajo që ndodhi me shqiptarët në Luftën e Kosovës do ta kishte zili historia e çdo kombi. Pavarësisht kësaj, nuk e kam kuptuar pse na bashkon lufta dhe na ndan kaq egër paqja? Pse e kemi të vështirë të bashkohemi në kujtimin e fitoreve të tilla kombëtare? Pse vlerësojmë të huajt, dhe shpallim tradhëtinë si “cilësi” kombëtare?”, ka thënë Majko.

Fjalimi i plotë i Majkos:

FJALA PER REZOLUTEN PER KOSOVEN SOT NE KUVENDIN E SHQIPERISE

E nderuar Kryetare e Seancës

Të nderuar deputetë

Sot Kuvendi i Shqipërisë është ftuar për të miratuar rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.


Në Komisonin për Politikën e Jashtme pati diskutim për faktin se në Kuvend janë depozituar edhe dy kërkesa nga deputetët e Partisë Demokratike për miratimin e rezolutës “Për genocidin e kryer në Kosovë”

Këto kërkesa të Partisë Demokratike vinin në pikëpyetje qëndrimin e mëparshëm të shtetit shqiptar për këtë cështje.

Rezolutat e Kuvendit të Shqipërisë janë platforma ku e kaluara informon të tashmen dhe jo një gjendje emocionale për të vënë në provë njeri-tjetrin.

Opozitës ju propozua që qëndrimet e saj për genocidin, ti përfshinte në rezolutën që është sot për diskutim. Ky propozim nuk u pranua.

Qëllimi i rezolutës të propozuar nga Partia Socialiste është ndërmarrja nga shteti shqiptar në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i veprimeve për rishikimin e Rezolutës Nr.1782 të vitit 2011 për të ashtuquajturin “trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe në Kosovë”.

Të nderuar deputetë

Në janar të vitit 1999 ndodhi masakra e Racakut në Kosovë nga ushtria serbe. Ajo tronditi të gjithë botën shqiptare. Megjithëse në një krizë ekstreme politike e kuptuam se duhet të dilnim nga dhoma e egoizmit të politikës. Përballë masakrës mbi shqiptarët e Kosovës, shtrënguam duart me opozitën dhe përgatitëm vendin për luftë.

Të djathtë dhe të majtë u bëmë bashkë përballë konfliktit i cili u konsiderua më seriozi pas Luftës së Dytë Botërore.

Konflikti shqiptaro-serb nuk ka filluar në Luftën e Kosovës të vitit 1999 .

Nga Traktati i Versajës në vitin 1918 deri në firmosjen e Marrëveshjes së Rambujesë më 18 mars 1999 për marrdhënien shqiptaro-serbe është besuar varianti serb i tregimit të historisë. Për 90 vjet publiku ndërkombëtar, për këtë mardhënie, është ushqyer me statusin e gënjeshtrës.

Si vazhdim i kësaj tradite, Raporti i Dick Martit akuzoi Ushtrinë Clirimtare të Kosovës për vrasje të personave me qëllim shitjen e organeve të tyre për trafikim të paligjshëm. Ky ishte një mashtrim publik në kufijtë e mallkimit për të fyer luftën për liri të shqiptarëve.

Gjatë Luftës së Kosovës Shqipëria vendosi një bashkëpunim zyrtar me kryprokuroren e Hagës, Harbur. Në Shqipëri me kërkesën e institucioneve të saj u vendos një mision i posacëm i Hagës për hetimin e krimeve të luftës.

Përpjekjes së opozitës sot, për të nxitur gjendje emocionale se “socialistët nuk pranojnë genocidin në Kosovë” i mungon kuptimi.

Rezoluta që propozon Partia Socialiste në mbrojtje të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe drejtuesve të saj nga njollosja e Raportit të Dick Martit ka kuptimin e vazhdimësisë së qëndrimeve të mbajtuara dhe jo atë të rishkruajtjes.

Ndarja jonë sot ka një “dëgjues” të interesuar. Konflikti shqiptaro-serb nuk mund të shpejgohet pa praninë e Moskës. Politika ruse ka nxitur vazhdimisht, në interes të pranisë së vet në rajon, konfliktin midis shqiptarëve dhe serbëve.

Sot, marrëdhënia për të cilën duhet të shqetësohemi më shumë është ajo që lidh Beogradin me Moskën. Diplomacia ruse kohët e fundit në marrëdhënie me Shqipërinë ka lënë mënjanë protokollet e diplomacisë. Si zoti Putin ashtu edhe ministri i tij Lavrov janë marrë së fundmi me shqiptarët përtej faktit që kombi ynë i vogël nuk ka standartet e “ariut” në gjeopolitikë.

Të nderuar deputetë

Në çdo përvjetor të Luftës së Kosovës shikoj jo pa keqardhje paqartësitë e kujtesës lidhur me të. Kjo fillon që nga shifra e atyre që lanë Kosovën dhe u strehuan në Shqipëri. Tani shifra po rrotullohet tek numri 400 mijë. Në fakt, kaq janë strehuar vetëm në Kukës, Has dhe Tropojë. Republika e Shqipërisë hapi dyert për mbi 700 mijë shqiptarë, familjarë, motra dhe vëllezërit tanë të një gjaku. Dhe u deklaruam, se dyert do të ishin të hapura edhe për shifrën 1 milion…

Ajo që ndodhi me shqiptarët në Luftën e Kosovës do ta kishte zili historia e cdo kombi. Pavarësisht kësaj, nuk e kam kuptuar pse na bashkon lufta dhe na ndan kaq egër paqja? Pse e kemi të vështirë të bashkohemi në kujtimin e fitoreve të tilla kombëtare? Pse vlerësojmë të huajt, dhe shpallim tradhëtinë si “cilësi” kombëtare?

Lufta e Kosovës ka lënë një memorje e cila ma bën të vështirë shtirjen. Nuk e konsideroj veten partizan të bashkëpunimit me Serbinë por nuk kam akuzuar për tradhëti askënd që kërkon komunikimin me të.

Serbët janë një komb në udhëkryq. Ky udhëkryq është pasojë e faktit se Serbia ka pranuar të lidhë veten me interesat e Lindjes. Këto interesa dhe agresioni rus në Ukrainë ka sjellë rrezikun që Beogradi të përdoret nga Moska për destabilizimin e rajonit.

Ndërtimi i mardhënies shqiptaro-serbe bazuar në platformën europiane është një “provokim” i miqësisë ruso-serbe. Protagonistët e politikës pro Moskës në Beograd, nuk e fshehin se duan mbajtjen të ndezur të konfliktit me shqiptarët.

Në kushtet aktuale gjeopolitike, bashkëpunimi me Beogradin kërkon praninë e Kosovës. Tirana dhe Prishtina e kanë të pamundur të zëvendësojnë njëra-tjetrën përballë Beogradit.

Në Serbi, janë ende me qindra shqiptarë të humbur, pa varr, që na thërasin me heshtje, të mos i harojmë!

Ju ftoj të votojmë rezolutën për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të mbrojmë nderin e djemve dhe vajzave, kurajo e të cilëve tejkaloi brezin e tyre. Të pohojmë veten dhe të shkruajmë përgjigjet tona të cilat janë më shumë se një rezolutë”.

Ju faleminderit!– shprehu ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu