Para vizitës së presidentes Ursula von der Leyen, KE-ja miration masa për menaxhimin e kufinjve në Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Europian merr masat e para ligjore dhe financiare për frenimin e migrantëve që kalojnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian para vizitës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në Ballkan.

Komisioni Europian miratoi një rekomandim drejtuar Këshillit të Bashkimit Europian për përmirësimin e marrëveshjeve të FRONTEX, agjencisë europiane të kufirit dhe rojës bregdetare me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në këtë rekomandim, Komisioni i kërkon Këshillit të ministrave autorizimin për hapjen e negociatave për përmirësimin e statusit të marrëveshjes mbi Frontex ndërmjet BE-së nga njëra anë dhe Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, si dhe Bosnjës dhe Hercegovinën nga ana tjetër. Kuadri i ri ligjor do të lejojë që trupat e përhershme të Frontex të vendosen në vendet e treta si në kufirin e BE-së ashtu edhe në kufijtë me vendet e treta dhe të ushtrojnë kompetencat ekzekutive. Për komisioneren për punët e brendshme, Ylva Johansson, kuadri i ri ligjor do të lejojë vendosjen e Frontex në të katër vendet partnere me fuqinë e plotë të mandatit të tij, për të siguruar që kufijtë e tyre të vazhdojnë të respektohen dhe mbrohen në përputhje me praktikat më të mira evropiane. Përtej kësaj, kuadri i ri pritet të mbështesë dhe forcojë më shumë bashkëpunimin në menaxhimin e kufijve dhe migracionit në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin në luftën kundër kontrabandës dhe garantimin e sigurisë në përputhje me praktikat më të mira evropiane.

Komisioni miratoi gjithashtu sot një paketë të re ndihme me vlerë 39.2 milionë euro në kuadrin e instrumentit për asistencën e para-anëtarësimit (IPA III) për të forcuar menaxhimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor. Komisioneri për fqinjësinë dhe zgjerimin, Olivér Várhelyi është shprehur, se duke pasur parasysh presionin e shtuar migrator në rajon, Komisioni Europian po fokusohet në forcimin e mbrojtjes së kufijve, luftimin e rrjeteve të kontrabandës dhe rritjen e kthimeve nga rajoni. Sipas këtij institucioni, paketa e ndihmës e miratuar sot vjen në vijim të një vlerësimi të detajuar të nevojave të përcaktuara me autoritetet e Ballkanit Perëndimor. Mbështetja synon kapacitetet e menaxhimit të kufirit të rajonit kryesisht nëpërmjet ofrimit të pajisjeve të specializuara. Këtu përfshihen sisteme të lëvizshme të mbikëqyrjes, mjete ajrore pa pilot, pajisje biometrike, trajnime dhe mbështetje për krijimin dhe funksionalizimin e qendrave kombëtare të koordinimit. Mbështetja mbulon gjithashtu funksionalizimin e objekteve të migracionit, duke përfshirë ambientet e pritjes dhe paraburgimit. “ Midis 2021 dhe 2024, ne synojmë të rrisim fondet tona me 60% në total, në të paktën 350 milionë euro për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor” është shprehur komisioneri Varhelyi. Sipas tij, kjo do të mbështesë Ballkanin Perëndimor në të gjitha fushat e zhvillimit të sistemeve efektive të menaxhimit të migracionit, duke përfshirë azilin dhe pritjen, sigurinë kufitare dhe kthimete migrantëve të paligjshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu