Partitë kalkulojnë me njësitë zgjedhore

Ndryshimi i kufijve të njësive zgjedhore ka shumë gjasa që zvarritet deri në çastet e fundit para shpërbërjes së Kuvendit, për shkak të dallimeve të mëdha që kanë partitë rreth zonave që duhet të largohen nga njësia e gjashtë zgjedhore për të ulur dallimin nën plus pesë për qind, raporton SHENJA.

Në gjithë këtë situatë, sipas burimeve partiake një është e sigurt, se dallimi nuk do të ulet në mënyrë drastike, por do të ketë vetëm ndryshim simbolik, që do të mundësojë vetëm respektimin e kushtit ligjorë, ndërsa dallimi mes njësisë së gjashtë dhe të tretë ende do të jetë drastik. Për pasojë në njësinë e gjashtë zgjedhore edhe më tej do të zgjidhet një deputetë me më tepër vota se në njësinë e tretë dhe të katërt zgjedhore. Siç mëson televizioni Shenja, nga 15 mijë votues sa ka njësia e gjashtë më shumë se mesatarja, në ndryshimet eventuale, nga kjo njësi pritet të hiqen vetëm 3 deri në 5 mijë votues, mjaftueshëm për të rënë numri nën 5 për qind nga mesatarja. Por ajo që mban larg partitë nga zgjidhja e këtij problem, janë zonat zgjedhore rreth së cilave partitë këtë periudhë po bëjnë kalkulime të detajuara. Katër partitë më të mëdha parlamentare e veçanërisht ata në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI të cilat kanë numrat për të miratuar këto ndryshime, janë duke përllogaritur përqendrimin e tyre elektoral dhe efektin që do të ketë largimi i votuesve nga njësia e gjashtë zgjedhore, si dhe njësia ku atyre ju konvenon më së shumti që të transferohen, në njësinë e parë ose atë të pestë zgjedhore. Jozyrtarisht mësohet se edhe kësaj radhë, fshatrat e ish komunave të Zajazit dhe Osllomesë, ka shumë gjasa të ngelen në njësinë e gjashtë zgjedhore, pasi si bastione të deritanishme të partisë shqiptare në pushtet, kanë ndikuar në të gjitha ciklet zgjedhore për të nxjerrë fituese BDI-së në njësinë e gjashtë zgjedhore. Ndërkohë sipas sistemit të Daountit, fituesi në një njësi zgjedhore me automatizëm fiton një deputet plus, përveç deputetëve të tjerë të cilët më pas ndahen mes partive. Transferimi i fshatrave të Zajazit dhe Osllomesë në njësinë e pestë ku ndodhet edhe Kërçova, nuk do të sillte ndonjë ndryshim të madh për këtë parti pasi në këtë njësi shqiptarët marrin shumë pak deputet, ndërsa fituese është njëra nga partitë maqedonase. Andaj burime partiake thonë për TV SHENJA se BDI është duke kalkuluar mes transferimit të disa vendbanimeve të Zhelinës në njësinë e parë, ose Dibrës në njësinë e pestë zgjedhore, zona këtu ku përzierja elektorale është e përzier. Ndërkaq PDSH-ja opozitare edhe në të kaluarën, por edhe tani mësohet se insiston në largimin e Zajazit dhe Osllomesë në njësinë e pestë me arsyetimin pasi këto vendbanime tanimë janë nën juridiksionin e Komunës së Kërçovës dhe logjikisht e kanë vendin në njësinë e pestë. VMRO-DPMNE kalkulimet i ka përqendruar më shumë në ndikimin eventual që mund të kenë këto votues në ndryshimin e hartës etnike në njësinë e parë dhe të pestë zgjedhore.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu