Protesta e partive opozitare të Shqipërisë në Tiranë, ashtu si edhe protestat e tjera është përfshirë nga tensionet dhe përplasjet mes policisë dhe protestuesve, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta është organizuar nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Mijëra persona të mbledhur nga qytete të ndryshme të vendit fillimisht kanë protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Më pas një pjesë e mbështetësve të opozitës protestuan para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë ku janë përplasur me forcat e policisë.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë pasi protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin policor të vendosur para selisë së Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa kanë mbetur të lënduar disa punonjës policie dhe protestues.
Gjatë protestës mbështetësit e partive opozitare kanë hedhur tymuese dhe sende të ndryshme ndaj forcave të policisë duke shkaktuar disa herë tensione.
Një pjesë e protestuesve në fund iu drejtuan selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë, ku foli lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
“Sot është dita e bashkimit më të madh që Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe Tirana kanë njohur në historinë e tyre. E gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota e ka parë sot vendosmërinë e një populli të bashkuar për liri, demokraci dhe për vlera evropiane”, tha Basha në fjalën para protestuesve.
Për shmangien e incidenteve u angazhuan qindra forca policore, të vendosura pranë selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, Kuvendit të Shqipërisë dhe institucioneve të tjera.
Reagon presidenti Meta
Në lidhje me tensionet në protestën e partive të opozitës ka reaguar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. “Presidenti Ilir Meta është duke ndjekur me shqetësim situatën. Presidenti bën thirrje për demonstrim paqësor dhe ruajtje të qetësisë. Presidenti Meta u kërkon të gjithëve të evitojnë konfrontimet dhe të qëndrojnë larg provokimeve”, thuhet në reagimin e Metës, publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë.
Partitë opozitare kanë organizuar në javët e fundit disa protesta në Shqipëri që u përfshinë edhe nga tensionet, ndërsa insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizojë sipas tyre zgjedhjet e parakohshme.
Kujtojmë se deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim vendosën të japin dorëheqje nga mandatet e tyre parlamentare, ndërsa ky vendim është kundërshtuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE).
Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili kundërshton idenë për zgjedhje të parakohshme, sot ndodhet për vizitë në qytetin e Beratit.









