Pas Papës, Kovaçevski do ta takojë edhe Petkovin! A do të ketë progres në bisedime?

Kryeministri Kovaçevski dhe delegacioni i Qeverisë ndodhet në një vizitë dyditore në Romë dhe në Vatikan, në kuadër të festimeve tradicionale për nder të 24 majit – Ditës së iluministëve Shën Kirili dhe Metodi.

Ata u pritën sot nga Shenjtëria e tij Papa Françesku.

Kryeministri informoi se është nisur iniciativa për nënshkrimin e marrëveshjes, ndërmjet Maqedonisë dhe Selisë së Shenjtë, me të cilin do të rregullohet statusi i Kishës Katolike në vendin tonë dhe do të promovohet bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët.

“Për kënaqësinë time të madhe, ne ramë dakord me Papa Françeskun se është thelbësore mbështetja e qytetarëve tanë më të rrezikuar në kohë të krizës së madhe dhe është pjesë e veprimtarisë sonë dhe politikave tona qeveritare. Në këtë kontekst, dua të theksoj se respekti për diversitetin si një nga shtyllat e ndërtimit të një shoqërie ku ka vend për të gjithë, reflektohet në ndërtimin e shoqërisë sonë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

I pyetur se cilat janë pritjet nga takimi i radhës me kryeministrin bullgar Kiril Petkov i cili poashtu është në Romë, Kovaçevski theksoi se do të kenë një takim për të diskutuar për ecurinë e bisedimeve ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme.

Ndërkaq Petkov u tha gazetarëve se do të ishte i lumtur nëse presidenti Rumen Radev do ta thërriste Këshillin Kombëtar.

“Pra, për rënien e vetos bullgare mund të flitet për mendimin tim vetëm pasi Ministria e Punëve të Jashtme të prezantojë rezultatet më të fundit të progresit në dialog dhe të mbahet Këshilli i Sigurisë dhe të gjitha shërbimet dhe pastaj të gjitha këto të futen në parlament dhe të vendos me një iniciativë të qartë se çfarë duhet të bëjë qeveria bullgare, sepse është formati më i gjerë dhe mendoj se është institucioni më i rëndësishëm”, tha Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Sa më shumë që qeveria bullgare i përmbahet qëndrimit zyrtar bullgar të paraqitur në dokumentet e miratuara nga Kuvendi Kombëtar dhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Konsultativ të Sigurisë Kombëtare, aq më shumë qeveria e Kiril Petkov dëgjon zërin e bullgarëve në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, vlerëson presidenti bullgar Rumen Radev.

“Mendoj se sa më shumë që Qeveria t’i përmbahet qëndrimit zyrtar bullgar, si dhe konkluzioneve nga Këshilli i fundit i Sigurimit, aq më i thellë është rasti i bullgarëve në RMV, sa më me përgjegjësi veprojmë si anëtarë të BE-së dhe i përmbahemi parimeve, aq më lehtë do të jetë në politikë dhe zgjidhjen me RMV”, tha Rumen Radev, president i Bullgarisë.

Këtë e deklaroi sot kreu i shtetit bullgar, pasi kryeministri bullgar Kiril Petkov të premten e ftoi atë që të thërrasë seancën e Këshillit Konsultativ të Sigurisë Kombëtare në temën Maqedonia e Veriut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu