Pendarovski-Abazoviq: Bashkëpunimi i ngushtë në kuadër të aleancës së NATO-s do të vazhdojë edhe në procesin e BE-së

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski ka takuar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Sipas kabinetit të Pendarovskit, në takim është shprehur gatishmëria për avancimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, duke theksuar mundësitë potenciale për forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi zhvillimet aktuale politike në të dyja vendet, në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke rikonfirmuar përkushtimin e tyre për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin rajonal, përmes forcimit të vazhdueshëm të proceseve demokratike dhe partneritetit të zgjeruar ndërkombëtar. Bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi i ngushtë në kuadër të aleancës së NATO-s do të vazhdojë edhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si qëllim i përbashkët strategjik i dy vendeve, njoftuan nga kabineti i presidentit Pendarovski.

Pendarovski e uroi Abazoviqin për emërimin e tij në postin e ri, duke i dëshiruar mandat të suksesshëm në ballafaqimin me sfidat dhe synimet e politikës së brendshme dhe të jashtme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu