Pendarovski: Arritëm suksese por edhe zhgënjime! Kreu shtetëror uron 31 vjetorin e Maqedonisë së pavarur

Të gjithë filluam nga një pozitë fillestare dhe luanim sipas rregullave e periudhave të caktuara, si shtet u ballafaquam me standarde të dyfishta dhe gjykatës të njëanshëm, që nuk na e vlerësonin atë që e arrinim, tha sot presidenti i shtetit Stevo Pendarovski gjatë dekorimit të katër sportistëve me medaljen “8 Shtatori”.

Në këtë rrugë të vështirë, arritëm suksese por edhe zhgënjime për qytetarët e Maqedonisë. Energjinë shpeshherë e harxhuam për akuza dhe opstrukcione të ndërsjella, ndërsa në planin e brendshëm sfida më e madhe me të cilën edhe sot e kësaj dite po ballafaqohemi, janë ndarjet e thella brenda shoqërisë maqedonase. Bashkimi është parakushti kyç për sukses”, deklaroi Stevo Pendarovski, president i RM-së.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se kemi një shtet të përbashkët që e kemi amanet dhe të gjithë kemi përgjegjësi ndaj tij, duke theksuar se në këtë mënyrë do të mbetet e gjallë edhe ëndrra e paraardhësve tanë. Xhaferi tha se procesi i eurointegrimit nuk ka alternativë ose zëvendësim tjetër dhe na mbetet edhe hapi i fundit, andaj nuk ka kthim prapa.

“Besoj se të gjithë ne kemi forcë, vullnet, vendosmëri dhe vizion në lidhje me atë se ku duam ta shohim Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kemi një shtet të përbashkët që e kemi amanet dhe të gjithë kemi përgjegjësi ndaj tij”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski vendosi lule te varrezat e presidentëve Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski.

“Më këtë 8 shtator, u bëj thirrje të gjithëve që të bashkohemi në lirinë dhe idenë për Republikën e Maqedonisë e cila me hapa të shpejta lëviz në rrugën evropiane. Të ngrehemi në nivelin e detyrës që të jemi fitues në betejën e gjeneratave tona. Na qoftë e gëzuar dhe për shumë mote dita e 8-Shtatorit, Dita e pavarësisë”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.

Dita e pavarësisë, 8 Shtatori shënohet me një sërë manifestimesh përkatëse, me ekspozita dhe vizitë të institucioneve të kulturës, muzeve dhe galerive në shtetin tonë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu