Për çfarë grupi të punës po flet zv/ministri Agim Nuhiu?!

Zëvendës ministri i MPB-së Agim Nuhiu për Portalb.mk ka njoftuar se është formuar një grup i punës që do të merret me shqetësimet e të akuzuarve të rastit “Kumanova”. Megjithatë, avokatët  mbrojtës nuk janë të njoftuar me hapat e MPB-së, ndërsa Nuhiu refuzoi të na tregoj se kush është në këtë grup pune dhe se çka saktësisht do të bëj.

Nevoja për bashkërenditjen e aktiviteteve në mes avokatëve, organet e drejtësisë dhe ministritë kompetente, për t’u mos u përsëritur dhuna ndaj të akuzuarve të rastit “Kumanova”, ekziston që nga dita e parë kur të njëjtit janë ankuar për dhunën e pjesëtarëve të Njësitit Special. Megjithatë, deri më sot, asnjë pjesëtar i njësitit special nuk është sanksionuar për sjellje joadekuate, shkruan Portalb.

Të akuzuarit në rastin Kumanova në dy seancat e fundit kanë dëshmuar se po rritet dhuna e Njësitit Special gjatë transportit të tyre nga burgjet në gjykatë dhe anasjelltas. Avokatët kanë alarmuar dhe kanë adresuar përgjegjësinë te Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike.

“Deri në këtë moment në MPB nuk ka evidencë për raste që i referohen keqpërdorimit të pozitës nga persona që sigurojnë të dyshuarit në rastin Kumanova”, thuhet në përgjigjen e MPB-së dërguar Portalb-it.

Zëvendës ministri i MPB-së Agim Nuhiu zotohet se ka ndërmarr masa, por nuk jep detaje. Madje, masave të tilla askund nuk u duket efekti.

“Ne kemi themeluar një grup pune për nevojat e kabinetit tonë që i përcjellë shqetësimet dhe ankesat për rastin në fjalë. Për ankesat e fundit ne kemi parashtruar iniciativë tek Departamenti për kontrolle të brendshme. A priori nuk e mohojmë ekzistencën e sjelljeve jashtë standardeve profesionale të punonjësve të policisë derisa ka ankesa nga të akuzuarit edhe pse një gjë e tillë është mohuar nga gardianët e burgut dhe faktorët tjerë. Prandaj, kemi nevojë për t’i bashkërenditur aktivitetet më fuqishëm me avokatët e të akuzuarve që fjalën përfundimtare ta jep Prokuroria dhe Gjykata”, deklaroi Nuhiu, duke mos dashur të sqaroj se kush e përbën këtë grup pune.

Avokatët mbrojtës as nuk e kanë idenë se për çfarë grupi të punës bëhet fjalë dhe si i njëjti do të arrijë të zbardhë diçka.

“Ne alarmuam nëpërmes mediave. Deri tash nuk kemi hasur në ndonjë rezultat konkret. As që jam i njoftuar për grupin e punës që është formuar”, tha për Portalb avokati mbrojtës në rastin “Kumanova”, Asmir Alispahiç.

“Për rastet e para kemi njoftuar Prokurorinë, por ende nuk e dimë deri ku është lënda. Me zv/ministrin vetëm një herë kam folur, por jo për këto rastet e fundit”, theksoi avokati Naser Raufi.

Praktika na ka dëshmuar se veprat që nuk penalizohen përsëriten. Askush nuk e di se në çfarë gjendje mund të sillen të akuzuarit në seancën e radhës!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu