Për dorëheqjen e Komandantit të FSK-së, Çitaku: Në vend se të dekorohet, gjeneral Rama dorëhiqet para mbylljes së mandatit

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, duke komentuar dorëheqjen e Komandantit të FSK-së, gjeneral Rrahman Ramës, ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ajo ka thënë se “në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin”.

Çitaku, e cila aktualisht është nënkryetare e PDK-së, përmes një postimi në Facebook, ka bërë përgjegjës ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, për dorëheqjen e Komandantit të FSK-së.

Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore”, ka shkruar Çitaku.

Në fund ajo ka thënë se “Gjeneral Rama e ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni, sikurse që Gjeneral Jashari e ka merituar ta pranojë detyrën me ceremonitë që i takojnë një emërimi të tillë”.

Postimi i plotë i Çitakut:

Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni më kredibil dhe më profesional në Republikën e Kosovës.

Përgjatë viteve, kam pasur nderin e veçantë që të bashkëpunoj me shumë oficerë të FSK-së. Gjatë shërbimit tim si Ambasadore në SHBA, kam pasur privilegjin që të shoqëroj dhjetëra delegacione zyrtare. Asnjëherë nuk jam ndjerë më krenare se kur kam qenë përkrahë ushtarëve të FSK-së.

Nuk do ta harrojë kurrë tetorin e vitit 2018, kur bashkë me ndihmësen e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Laura Cooper, kam bashkë-kryesuar mbledhjen e parë të Grupit Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë, të mbajtur në Pentagon. Për nga pregaditja dhe profesionalizmi, oficerët e FSK-së ishin në të njejtin nivel me oficerët amerikan.

Përgjatë fazave të ndryshme të transformimit, nga UÇK, në TMK e më pas FSK, është ruajtur bërthama e luftës çlirimtare, paralelisht me krijimin e vlerave të reja.

Nga Gjeneral Rama, kolonel Qeriqi, kolonel Dreshaj, deri tek Arilena Shala, Yll Dalladaku, Ilirijanë Bunjaku e Luan Haradinaj, ( po i përmend me emër këta me të cilët kam bashkëpunuar, pa i hyrë në hak askujt) FSK sot është ushtri moderne, me oficerë të pregaditur e shkolluar në Akademitë më prestigjioze ushtarake në botë. Falë punës së tyre para së gjithash, kemi arritur ta ndërrojmë mandatin e FSK-së në ushtri, dhe sot pjesëtarët e FSK-së janë në misione të përbashkëta me trupat amerikane.

Ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore. Me veprime të tilla cënohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate. Reagimi nga SHBA-të ka qenë i ashpër dhe i menjëhershēm“- shkruan ajo.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu