Testimi i kromozomit Y është mënyra më e drejtpërdrejtë për të hulumtuar prejardhjen në vijë atërore. Meshkujt që i takojnë të njëjtit Y-haplogrup, kanë një paraardhës të përbashkët nga linja e babait. Duke patur një sasi të konsiderueshme rezultatesh, mund të studjohet përbërja dhe prejardhja gjenetike e një populli.
Më poshtë, Projekti Shqiptar i ADN-së, “Albanian Bloodlines”, bën publike të dhëna gjenetike të popullit shqiptar, nga kampioni më i madh e i hollësishëm gjenetik i mbledhur deri sot. Qëllimi parësor është që në studimin e historisë sonë, ashtu si në studimin e historisë së shumë popujve të botës tashmë, të dhënat gjenetike të shfrytëzohen si një burim i ri njohurish, i cili mund të integrohet me burimet historike, arkeologjike e gjuhësore për të krijuar një pamje sa më të plotë të së kaluarës. Gjithashtu, me prezantimin e disa gjetjeve të para, shpresojmë të nxisim një vetëdijësim më të lartë të shqiptarëve për mundësitë e rëndësishme që ofron kjo fushë në studimin e prejardhjes vetjake dhe kombëtare.
Qëllimi i këtij artikulli nuk do të jetë që të paraqesë cili Y haplogrup apo nëngrup i tij është më “shqiptar”. Shqiptarë jemi sepse vetë-përcaktohemi dhe duam të jetojmë si të tillë, ndajmë një gjuhë e të njëjtat tradita. Megjithatë, edhe në prejardhje, shqiptarët janë popull shumë homogjen, gjë që tregon se pavarësisht se secili ka vetëm një haplogrup të vijës atërore, shumica e haplogrupeve të mëposhtme mund të gjenden në vija të ndryshme paraardhëse të çdo shqiptari.
Të gjitha rezultatet që kemi në databazën e projektit janë mbledhur nga shqiptarët që kanë kryer teste gjenetike në kompanitë më në zë amerikane, gjermane dhe italiane në testimin kromozomit Y, dhe na kanë dërguar vullnetarisht rezultatin e tyre. Rezultatet e testeve standarte janë të gjitha nga FamilyTreeDNA dhe YSEQ. Këto teste tregojnë vlerat e 12-111 shënuesve kyç Y-STR (Short Tandem Repeats). Pastaj, sipas nevojës dhe dëshirës, një pjesë e të testuarve e kanë thelluar analizën me teste Y-SNP (Single Nucleotide Polymorphism), si dhe në disa raste me BigY ose NGS, që ofrojnë rezolucionin më të lartë. Këto teste kryhen nga FamilyTreeDNA, FullGenomes dhe DanteLabs. Testet porositen direkt nga laboratorët e lartpërmendur dhe blihen nga anetarët e projektit, ose, në disa raste, mund të financohen nga donatorët ose vullnetarët.
Kampioni përmban rezultate nga trevat shqiptare, diaspora, arbëreshët, arvanitasit, si dhe nga minoritet etnike që jetojnë mes nesh. Duke qenë se shumica dërrmuese e testeve bëhen me interesin dhe sipërmarrjen vetjake të të testuarit, kampioni është kryesisht i rëndomtë. Kemi arritur të mbledhim rezultate nga të gjitha pjesët e trevave shqiptare, edhe pse disa prej tyre, si psh Maqedonia veri-perëndimore, Librazhdi apo Dukagjini, kanë një numër pak më të vogël se rajonet e tjera. Megjithatë, do të përpiqemi të japim një pasqyrë sa më të saktë rreth asaj që dihet deri më tani për Y-haplogrupet dhe nëngrupet e tyre që sot përbëjnë linjat atërore shqiptare, si dhe shpërndarjen e tyre në rajone të ndryshme.
Shpërndarja e deritanishme e Y-haplogrupeve të Projektit Shqiptar të ADN-së, “Albanian Bloodlines”, nga gjithsej 691 të testuar:
E1b-V13: 28.4%
R1b-M269: 19.5%
J2b-L283: 18.4%
I1-M253: 6.8%
I2a-M423: 6.7%
R1a-M417: 6.4%
J2a-M410: 4.1%
J1-M267: 3%
I2a-M223: 2.3%
G2a: 1.2%
J2b-M205: 0.6%
T1a-L131: 0.6%
E1b-M123: 0.6%
E1b-V22: 0.4%
E1b-M81: 0.3%
E1a-M132: 0.3%
I2-L596: 0.1%
I2-S21825: 0.1%
G1-M342: 0.1%
N1a: 0.1%
Duke analizuar STR dhe SNP të kromozomit Y, secilët nga haplogrupet e lartpërmendur i kemi zbërthyer në nëndegë dhe nëngrupe, të cilat zakonisht kanë histori të veçanta. Në vijim, po japim një analizë të shkurtër të nëndegëve që gjenden në popullatën shqiptare
Foto:











