Përfundon kryesimi i Maqedonisë me OSBE-në, Osmani dhe Karpenter: Fitoi OSBE-ja, dështoi Rusia

Rusia ngelet e izoluar në korniza të OSBE-së për shkak agresionit ushtarak mbi Ukrainën. Kështu deklaroi përfaqësuesi i SHBA-ve në OSBE, ambasadori Majkëll Karpenter, duke folur në konferencën për media në margjinat e këshillit ministror të Organizatës në Shkup për rezultatet e takimit. Ai shprehu mirënjohje për RMV-në për siç tha, punën e madhe që e bëri gjatë kryesimit një vjeçar me OSBE-në në një kohë të vështirë.

“Askush nuk dëshiron të ulet në tavolinë me ministrin e jashtëm Lavrov, të dëgjojë gënjeshtrat dhe dezinformatat. Me gjithë respektin për të, Lavrov edhe një herë hedhë fajin ndaj të tjerëve, e ka të përkryer këtë art. Do të ishte më mirë të bëjë një introspeksion më të madh të ndikimit malinj rus mbi shtetet demokratike, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor”- deklaroi Majkëll Karpenter – Përfaqësues i SHBA-ve në OSBE.

Sa i përket Kosovës, Karpenter konfirmoi se SHBA-të vazhdojnë të mbështesin Kosovën si shtet i pavarur dhe demokratik, si dhe i mbështesin negociatat për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Ai paralajmëroi se do të vazhdojnë të punojnë me BE-në që të arrijnë këtë qëllim.

Në fjalimin përmbyllës të këtij organizimi, kryesuesi i OSBE-së Bujar Osmani tha se kjo ishte ngjarja më e madhe politike në vendin tonë, ndërsa është mbajtur në periudhë të vështirë për shkak luftës në Ukrainë.

“Kjo është ngjarja më e madhe politike në vendin tonë dhe takim që ndodhi në periudhë të jashtëzakonshme, kur jemi dëshmitarë të sulmeve të vazhdueshme, të luftës në Ukrainë dhe vuajtjeve njerëzore. Në shumë mënyra historia po përsëritet. Sfidat janë edhe sot edhe nesër. Këtu në Ballkan dyshojmë t’i quajmë gjërat historike, por ky këshill ministror tanimë quhet historik. Agresioni rus mbi Ukrainën e solli në pikëpyetje arkitekturën e sigurisë por gjithashtu e solli në pikëpyetje edhe ekzistimin e vet organizatës, sepse ky këshill është revolucionar.”- deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Jashtëm.

Osmani dhe Karpenter përgëzuan Maltën për marrjen e kryesimit të OSBE-së vitin e ardhshëm, duke shprehur falënderim për përkushtimin e saj për pakicat dhe lirinë e mediave, duke uruar që me sukses do ta udhëheqin OSBE-në vitin e ardhshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu