Përpjekjet për shtensionim të situatës, pas Kosovës, Lajçak qëndron sot në Serbi

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot do të takohet me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak.

Siç është paralajmëruar, takimi Vuçiq-Lajçak është caktuar për në ora 11:00, në Presidencën e Serbisë dhe tema kryesore pritet të jetë gjendja aktuale në Kosovë dhe hapat drejt deeskalimit të krizës në veri.

Lajçak gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Prishtinën, ku ka zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas takimit me Kurtin, emisari i BE-së për dialogun u shpreh se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë.

“BE e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme. Po ashtu për Serbinë dhe do të zbatohen nëse vendet anëtare vendosin se ajo nuk po vepron në përputhje me kërkesat e BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare. Do të jem nesër në Beograd. Dëshira ime nuk është që të ketë masa për Kosovën dhe Serbia. Dëshira ime është që të mos ketë masa por që t’i kemi të dyja palët në takim në Bruksel se si do ti zbatojnë marrëveshjet e shkurtit”, ka përfunduar Lajçak.

Kjo është vizita e parë e të dërguarit special në Prishtinë dhe Beograd që kur Komisioni Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për mosndërmarrjen e hapave për deeskalim në terren.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu