Përplasen në ajër, rrëzohet avioni F-35B me vlerë 100 milionë dollarë

Një avion luftarak F-35B u rrëzua pranë detit Salton, në Kaliforni, pasditen e së martës pasi u përplas në ajër me një avion cisternë KC-130J, duke e detyruar këtë të fundit të bënte ulje emergjente.

Për fat të mirë, piloti i avionit luftarak arriti të shpëtojë pasi u hodh me parashutë, përpara se F-35B, i cili kushton 100 milionë dollarë, të përplasej me tokën.

Ndërkohë, avioni KC-130J bëri ulje të detyruar në një fushë dhe asnjëri prej 8 pjesëtarëve të ekuipazhit nuk pësoi lëndime.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00 të së martës, me atë lokale, kur F-35B pati kontakt në ajër me KC-130J, gjatë një tentative për t’u furnizuar me karburant.

Autoritetet amerikane kanë nisur një hetim për zbulimin e shkakut të këtij aksidenti ajror, i cili u mbyll fatmirësisht pa viktima, por me shkatërrimin e avionit luftarak F-35B.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu