Personazhet e vitit 2023, sipas Opinion Ali Ahmet, Jasir Asani

Si çdo fundvit emisioni “Opinion” përzgjedh personazhet e vitit të cilët janë kontribuues në fusha të caktuara. Për këtë vit janë zgjedhur 15 personazhet më poshtë, ku përfshihen edhe struktura si ajo e SPAK.

Ali Ahmeti – Kryetari i BDI-së. Personazh i vitit për premtimin e mbajtur se Maqedonia e Veriut do të ketë një kryeministër shqiptar si dhe për rolin e luajtur tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Armand Duka – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Personazhi i vitit për zgjedhjen si zv/President i UEFA-s dhe kualifikimin e kombëtares në Euro 2024.

Aneta Gjonaj – Mjeke. Personazh i vitit për punën dhe sakrificën e shërbimit në fshatra të largëta.

Endrit Thaçi – Djali i Presidentit Hashim Thaçi. Personazh i vitit në nder të babait të tij, për rolin dhe betejën që po bën për Luftën e Kosovës ndaj çdo lloj etiketimi.

Flamur Golemi – Kryetar i Bashkisë Gjirokastër. Personazh i vitit si përfaqësues i qytetit të Gjirokastrës, qyteti më i pëlqyer i turistëve këtë vit.

Jasir Asani – Lojtar i kombëtares shqiptare. Personazh i vitit për paraqitjet e tij në fushën e lojës, për talentin që ka demonstruar.

Kler Çaku – Shahiste. Personazh i vitit për arritjen e saj si kampione bote në shah si dhe për pasionin që ka treguar ndaj kësaj fushe që në moshë të vogël.

Margarita Xhepa – Artiste, aktore. Personazh i çmimit të karrierës për kontributin e saj 70-vjeçar të dhënë në kinematografi dhe teatër si dhe për emancipimin e gruas shqiptare.

Saimir Kodra – Gazetar dhe autor i emisionit “Stop” në Tv Klan. Personazh i vitit për punën në emisionin “Stop” siç ishte rasti i kopshtit ku u dhunua një vogëlushe.

Timo Flloko – Poet/artist. Personazh i vitit për realizimin e koncertit të Butrintit, “Yjet në Butrint”.

Gersi Troka – Atlet me sindromën down i Special Olympics Albania. Personazh i vitit për medaljen e arit në not në garën 200 metra stil i lirë në lojërat olimpike speciale botërore që u zhvilluan në Qershor 2023 në Berlin.

Mira Murati – Shefe e Teknologjisë në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjisë së OpenAI. Personazh i vitit për arritjet në inteligjencën artificiale.

SPAK – Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si institucioni i vitit për punën që po bën në drejtësi.

Sylvinho – Trajner i kombëtares. Personazh i vitit për arritjet e kombëtares si dhe kualifikimin në Euro 2024.

Lara Colturi – Skiatore profesioniste italiane e natyralizuar shqiptare. Personazh i vitit për arritjet në ski duke garuar në logon e Shqipërisë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është zgjedhur nga “Opinion” si personazh i vitit për arritjen e Shqipërisë në Euro 2024 dhe zgjedhjen e tij si zv/President i UEFA-s.

Sa i përket Europianit, Duka tha në studio se ka shumë besim tek ekipi dhe një kalim i mundshëm i grupit.

Ajo që kam këshilluar të tjerëve është ta shijojmë një herë këtë që kemi arritur sepse kemi nevojë ta shijojmë sepse nuk kemi shijuar shumë gjëra të bukura. Ta shijojmë deri në Qershor dhe ta shijojmë edhe pjesëmarrjen atje. Padyshim që kam shumë besim tek ekipi, siç kam pasur besim që e komentove me skepticizëm, kualifikimin në Europian, kam sërish besim që mund ta kalojmë grupin”, tha ai.

Ai foli edhe për zgjedhjen si zv/President i UEFA-s.

“Në rastin e zgjedhjes, Aliu e di më mirë se të tjerët, është çështje korrektese, çështje pune, çështje raporti, besimi dhe vlerësimi”, tha Duka.

Asani: Qava kur mora ftesën nga Shqipëria. Në Europian, nuk i frikësohem asnjë kombëtareje

Jasir Asani është përzgjedhur si personazhet e vitit nga emisioni “Opinion”. Meqë ishte në studio ai kishte një dhuratë për gazetarin Blendi Fevziu, fanellën e tij tek kombëtarja me numrin nëntë.

Asani na ka emocionuar me supergolat e tij. “Snajperi” i kombëtares na tregoi aventurën e tij që nga nisja e karrierës si futbollist e deri tek ftesa te skuadra kombëtare.

Shtatë vite priti që të bëhej lojtar i Shqipërisë dhe thekson se ka qarë kur i ka ardhur ftesa nga Sylvinho.

https://youtu.be/zz7wPnJcV6Y+

“Ka qenë dita e premte që më kanë marrë nga stafi që do isha pjesë e kombëtares. Isha në Kore. Isha 9 orë diferencë përpara atje. Nga gëzimi qava sepse nga fëmijëria e kam pritur këtë ftesë dhe që të bashkohesha një ditë të luaja nga kombëtarja shqiptare. E kam pasur ftesën (nga Maqedonia) dhe ka 7-8 vite që e kam pritur kombëtaren. Edhe po të mos kishte ardhur ftesa gjithmonë do e prisja kombëtaren shqiptare”, theksoi ai.

Asani cilëson golin me Moldavinë si më emocionuesin që ka pasur. Sa i përket Europianit shprehet se nuk ka frikë nga asnjë kombëtare.

“Kemi kualitet shumë të madh në ekip. Kemi kompleksin më të mirë na Ballkan. Merita është e të gjithëve sepse jemi grup shumë i fortë dhe duhet të vazhdojmë përpara. Shumë besim kam. Nuk kam frikë asnjë kombëtare sepse me këta lojtarë që kemi mund të lozim pa pikë problemi me çdo kombëtare në botë”, tha ai.

Ali Ahmeti: Talat Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar i RMV-së

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, është përzgjedhur si personazh i vitit sipas emisionit “Opinion”.

Arsyeja është premtimi i mbajtur se Maqedonia e Veriut do të ketë një kryeministër shqiptar. E kështu pritet të ndodhë më 28 Janar të vitit të ardhshëm.

I ftuar në studio, Ahmeti bëri me dije se kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut do të jetë komandant Talat Xhaferi, i cili është ndërkohë kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.

Blendi Fevziu: Kur do e kemi kryeministrin shqiptar?

Ali Ahmeti: Më 28 Janar.

Blendi Fevziu: Dhe kush do jetë?

Ali Ahmeti: Talat Xhaferi.

Blendi Fevziu: Talat Xhaferi? Komandant Talat Xhaferi?

Ali Ahmeti: Komandant Talat Xhaferi.

Blendi Fevziu: Maqedonisë do t’i vesh për kryeministër një komandant të UÇK-së?

Ali Ahmeti: UÇK ka nënshkruar marrëveshje me NATO-n në 2001 që demobilizohet dhe uniforma e UÇK-së mbetet monument i kujtesës historike, e ka çdo ushtar, me një garancë të fuqishme që nuk do të keqpërdoret…

Blendi Fevziu: Ndërsa Talati do të mbetet monument i aktualitetit?

Ali Ahmeti: Talati më 28 Janar votohet nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut për kryeministër që do të drejtojë qeverinë deri në zgjedhjet e ardhshme.

Kampion në not, Gersi Stroka ka një apel për qeverinë: Kërkoj shpërblim dhe mbështetje, kam luftuar deri këtu

Edhe pse me sindromën Down, Gersi Stroka ka qenë i pandalshëm në garën e notit këtë vit në Berlin duke rrëmbyer medaljen e arit. Ai e meriton padyshim të jetë në listën e personazheve të vitit.

Sonte në “Opinion”, kampioni olimpik rrëfen se si nisi pasioni i tij për notin dhe sa punë i është dashur për të marrë pjesë në aktivitete të tilla.

“Stërvitem dy orë në ditë, por kur kam kështu gara duhet të stërvitem përditë”, tha Gersi në fillim të intervistës me Blendi Fevziun.

A ka qenë e vështirë gara?

Gersi Stroka: Jo sepse e fitova unë. E mora unë medaljen e arit.

(Qesh Blendi Fevziu)

-Si u lidhe me notin?

Gersi Stroka: Që i vogël kisha shumë dëshirë të merrem me notin, që 9 vjeç. Tani stërvitem me profesorin.

-Kush ishte konkurrenti më i vështirë në olimpiadë?

Gersi Stroka: Ai që më iku para, ai japonezi.

-E le mbrapa në fund?

Gersi Stroka: E lashë!

Në fund Gersi pati dhe një apel për qeverinë.

Gersi Stroka: Special Olympics nuk është njohur akoma në listë, unë jam pjesë e kësaj gare, por nuk kam një nxitje apo mbështetje për të vazhduar me aktivitetet. Nga asnjë, nga qeveria këtu…E di pse e them? Sepse ka bërë shumë përpara Special Olympic-u.

-Mesazh për Edi Ramën ky. Po?

Gersi Stroka: Unë me profesorin kemi qenë këmbëngulës në gara. Unë kërkoj që këtu në Shqipëri të kem një shpërblim se kemi luftuar deri këtu.

-Të gjithë sportistët po marrin çmime me thënë të drejtën, Gersi e ka dhe më të vështirë sfidën e tij, kështu që realisht e meriton.

Gersi Stroka: Do u kërkoja institucioneve shtetërore të merren parasysh personat me aftësi të kufizuara, sepse unë kam parë disa persona që nuk janë të aftë fare, sepse nuk kanë mbështetje financiare nga shteti. Të njihet Special Olympicu se kemi bërë gjithë atë përkushtim.

73 vite suksesi në skenë, aktorja e madhe Margarita Xhepa: Kur erdha në Tiranë, fati më ndoqi…

Ikonë e filmit dhe teatrit, Margarita Xhepa ka një vend special në listën e personazheve të vitit. E ftuar këtë të Enjte në “Opinion” ajo rrëfeu pak nga 73 vitet intensive të saj në skenë.

Për herë të parë para publikut ajo doli në moshën 15 vjeçare, e prej atëherë pati suksese të njëpasnjëshme.

-Kur ke dalë në skenë për herë të parë?

Margarita Xhepa: Në moshë shumë të re. Sa mbarova 7-vjeçaren.

-7 vjeçaren?!

Margarita Xhepa: Në 1950-ën, në Lushnje.

-73 vjet përpara ke dalë në skenë!

Margarita Xhepa: Me poezinë, aty kishim një shtëpi kulture dhe një pjesë ruse ma besuan mua, dola mirë në atë rol dhe seksioni i arsimit më nxori bursën për në Liceun Artistik. Erdha në Tiranë dhe aty fati më ndoqi, kryeregjisor i Teatrit Popullor atëherë ishte Pandi Stillo. Sikur lashë përshtypje të mira, unë dy poezi kisha.

-I mban mend poezitë?

Margarita Xhepa: Po si si mbaj mend?! “Malet e Shqipërisë” të Naim Frashërit dhe Gjuha jonë sa e ëmbël sa e bukur…Mbi të gjitha ishte ajo që më dhanë një ushtrim. Aty kuptonin se paska talent dhe u emocionova shumë. Më thanë do presësh te korridori e pastaj regjisori më tha “nesër do vish në teatër në 9 pa çerek”. Dola vërtetë.

-Ti se dije as teatrin rrezik ë?

Margarita Xhepa: Nuk e dija, me të pyetur. Imagjino, 15 vjeçe. Erdhi aty aktori i mirënjohur Lazer Filipi, ça është ajo vajzë tha që rri si zog aty në stol? Po pres i thashë kryeregjisorin. Shkova në drejtori dhe më thanë do vish aktore në Teatrin Popullor dhe gjatë kësaj kohe do bësh dhe Liceun Artistik. Ashtu ndodhi. Me një rrogë relativisht të vogël, 3800 lekë, m’u duk gjë e madhe. Hyra në teatër dhe rolin e parë bëra të kamerieres, me emocion dhe ajo krijoi besim te regjisorët.

Aktorja e madhe ka luajtur plot mbi 100 rolë në teatër dhe ka marrë pjesë në 40 filma.

Xhepa rrëfeu dhe momentin më emocionues të karrierës së saj.

“Nuk e harroj kurrë, në vitet ’60 isha 25 vjeçe. Vjen regjisori rus, do vinte në skenë “Hamletin”, ishte një fat i madh për teatrin tonë. Kam një moment shumë të bukur sa hyri regjisori. Duke takuar aktorët, sa më pa mua ndau rolin, Ofelia. Të gjithë erdhën më uruan sepse ishte një rol që është fat ta kesh në jetën artistike. E punova me dashuri”, tha aktorja./tvklan.al


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu