Petar Petkovic shefi i zyrës së ashtuquajtur për ‘Kosovë e Metohi’ pranë qeverisë serbe para takimit të mërkurën në Bruksel me palën kosovare në bisedimet teknike i ka mëshuar fort rrezikut të pretenduar nga ta që po i kanoset popullatës serbe në Kosovë. Ai tha se këtë vit janë regjistruar 70 sulme ndaj serbëve, deri sa gjithë vitin e kaluar ishin vetëm 80.
Petkovic për televizionin serb Happy tha se ‘simbol i këtyre sulmeve është rasti i Dragica Gasic’ e kthyera në Gjakovë, e vetmja serbe që ‘pushteti shqiptar’ i ka ‘konfiskuar ‘ derën e blinduar të hyrjes, e dhënë nga zyra që ai udhëheqë. Sipas tij Gasic që prej s është kthyer në banesën e saj çdo ditë është përballur me kërcënime dhe sulme me gurë të dyerve dhe dritareve, e pas këtyre kjo zyrë vendosi t’i siguroj asaj ‘grila për dritare dhe derë të blinduar’.
Zyra e udhëhequr nga Petkovic dhe qeveria serbe deri vonë krenoheshin me arritjet e tyre në ‘mjediset serbe’ në Kosovë pas investimeve dhe përmirësimin e kushteve të jetës së serbëve në Kosovë. Së voni po e përdorin taktikën e viktimizimit po ashtu.
Petrovic shtoi se nuk i beson palës kosovare që do të zbatoj ndonjë marrëveshje të re, nëse nuk kanë përmbushur asgjë nga ajo që janë pajtuar në ndërkohë.
“Duhet të ketë mirëbesim minimal që të arrijmë deri tek zgjidhja e kompromisit. Të mërkurën na presin bisedimet me ekipin prishtinas teknik. Ne shkojmë me ekspertët tanë të përgatitur mirë për dialog” tha Petkovic.
Ai po ashtu është deklaruar edhe një tufë ofendimesh për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që është bërë e obligueshme për zyrtarët serbë që nga rinisja e negociatave.
“Kryeministri i institucioneve të përkohshme Albin Kurti nuk kupton kohë, as realitetin dhe rrethanat politike botërore duke mohuar gjithçka, e po ashtu nuk do të pranoj marrëveshjet që janë nënshkruar pasi ato janë nënshkruar nga ata që ishin përfaqësuesit e Prishtinës para tij”. Petkovic tha se tani Prishtina ka radhën të kryej obligimet e veta pasi siç pretendojnë Beogradi i ka kryer të vetat.









