Phillips: Serbët kanë mjaft të drejta në Kosovë, Asociacioni është i tepërt

Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips thotë se Kosova duhet të kërkojë të drejta për shqiptarët e Preshevës siç kanë serbët në Kosovë.

Nga Brukseli po presin që Kosova të gjejë sa më parë ndonjë modalitet për zbatimin e Marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Megjithatë pavarësisht presionit nga Bashkimi Evropian, Kosova nuk ka bërë ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

Qeveria aktuale e sheh Asociacionin si lëvizje të dëmshme për vendin, dhe ngjashëm po mendon edhe drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips.

Philips tërheq një paralele mes gjendjes së serbëve në Kosovë dhe pakicës shqiptare në Serbi.

“Asociacioni është i tepërt. Kushtetuta e Kosovës parasheh një seri masash në mbrojtjen dhe promovimin e pakicave, të cilat po ashtu mbrohen nga parimet e Ahtisaarit. Marrëveshja që zoti Thaçi kishte bërë për Asociacionin ishte e keqe që në fillim”, deklaroi Phillips për RTV Dukagjinin.

“Nëse Kosova ecën para me Marrëveshjen e Asociacionit ndaj së cilës është e obliguar, duhet të bëhet në simetri me trajtimin që Serbia i bënë pakicës shqiptare në Preshevë”.

Philips thotë se Asociacioni do të krijonte ndarje të mëdha në veri të vendit dhe do të minonte sovranitetin e vendit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur se disa pika të Marrëveshjes për Asociacionin binin ndesh me Kushtetutën e Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu