“Po u pengon fuqizimi i shqiptarëve”, Grubi: 5 oligarkë maqedonas po punojnë për largimin e shqiptarëve nga pushteti

Me pretekstin se shqiptarët po fuqizohen shumë ekonomikisht, pesë oligarkë të fuqishëm ekonomik maqedonas po punojnë për largimin e BDI-së dhe shqiptarëve nga pushteti. Kështu u shpreh zv.kryeministri i parë Artan Grubi në emisionin RTV21. Sipas tij, ata kanë frikë se do ju cenohet biznesi dhe interesat e tyre.

“Shqiptarët e kanë marë hisen e vet dhe disa oligark maqedonas, pesë gjithsej që mbajnë gati se gjithë ekonominë e vendit për arsye të tranzicionit dhe privatizimit të kompanive shtetërore asokohe pas pavarësimit. Po u pengon kjo se po thonë shqiptarët fuqizohen shumë ekonomikisht. Dhe kjo u pengon sepse vlerësojnë që me rritjen e shqiptarëve dhe fuqizimin e tyre ekonomik, përveç aspektit të të drejtave etnike në vendin tonë, do ju cënon biznesin e tyre, do ju cënon interesat e tyre dhe që shteti po tjetërsohet”, tha Artan Grubi – zv/kryeministër i parë.

Sipas Grubit, këta oligarkë po punojnë fuqishëm që me shtetin të udhëheqin vetëm maqedonasit, respektivisht VMRO dhe LSDM, ose së bashku me ta, të kyçet ndonjë parti e sapoformuar shqiptare.

“E kanë shpikur një tezë të paqëndrueshme që vendi po qeveriset nga shqiptarët. Që kryeministër në fakt është Artani, është Ali Ahmeti, është BDI-ja dhe nuk qeverisin maqedonasit por po qeverisin shqiptarët. Ka ardhur koha që shqiptarëve t’u themi JO! Duhet të qeveriset nga maqedonasit, duhet të bëjmë një koalicioni puro maqedonas. Dy partitë kryesore, VMRO-ja konzervatore dhe LSDM-ja, t’i lëmë shqiptarët anash, apo të gjejmë ndonjë shqiptar me parti të sapoformuara, me parti të reja, shqiptar preferencial”, deklaroi Artan Grubi – zv/kryeministër i parë.

Këtë iniciativë e pati paralajmëruar në fillim ministri i jashtëm Bujar Osmani, kur në SummerClick tha se është krijuar një qendër hibride politiko-ekonomike që sulmon BDI-në. Në këtë qendër tha se ka edhe liderë politik aktual por edhe liderë nga e kaluara.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu