Poeti që u shndërrua në shkrues nekrologjie

Një poet i talentuar që shndërrohet në një shkrues nekrologjish, në kushtet e mbijetesës në një kohë kur poezitë dhe letërsia nuk janë konsumi më i preferuar i një shoqërie në tranzicion ekonomik dhe shpirtëror, është motivi që merr frymëzim nga një tregim i Ylljet Aliçkës, e që është shndërruar në një film me metrazh të shkurtër titulluar “Poeti”.

“Filmi nuk është dramatik, por pasqyron një realitet të njohur nga të gjithë ne, ku shumë shpesh artistëve për të mbijetuar i duhet të gjejnë mënyra alternative pune… “, thotë regjisorja Atina Laço, e kthyer së fundmi në Shqipëri pas përfundimi të studimeve në Media, Komunikim dhe Studime Evropiane ne Gjermani.

Filmi trajton dramën dhe peripecitë e një poeti që në kushtet e mbijetesës i duhet të shkruajë vargje të shkurtra nekrologjike dhe t’i botojë në gazetë për të afërmit. Peripecitë shtohen kur ky poet duhet të gjejë mënyra nga me te ndryshme për të kontaktuar, klientët. Ironia bëhet më therëse teksa parashtrohet vdekja si një burim të ardhurash në kushtet e një krize të thellë ekonomike, jo vetëm për poetin po edhe për skulptorë apo infermierë e punonjës të tjerë në spitale. Aventura e këtij poeti ka sukses në sigurimin e të ardhurave, por ka edhe dështime, që e bëjnë të gjithë situatën sa tragjike aq edhe komike.

Në rolin e poetit spikat Alfred Trebicka. Në role të tjera janë Zana Prifti, Romir Zalla, Egla Ceno, Xhemal Sojli etj.

“Sigurisht që në film situatat tragjikomike dhe absurde, me të cilat haset Poeti, janë të ekzagjeruara si dhe vetë puna që ai zgjedh të bëjë (shkrimi i nekrologjive) është një metaforë dhe lojë edhe kundrejt jetës së tij si poet”, shton Laço.

Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, dhe tashmë do të bëhet pjesë e konkurrimeve ndërkombëtarë siç janë festivale të ndryshme të kinematografisë. /Tiranapost/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu