Presidenti Meta i gatshëm të japë dorrëheqje

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha sot se mund të largohet nga posti pasi në vend të jetë zgjidhur kriza politike.

Gjatë një deklaratë për media, Meta tha se nuk i kupton arsyet e socialistëve të cilët duan ta shkarkojnë, pasi vendimin për anulimin e datës së zgjedhjeve ai e mori për të shmangur konfliktin civil në vend, transmeton KOHA.

Ai tha se nëse largimi i tij i shërben zgjidhjes së krizës, është i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë.

“Unë nuk e kuptoj pse duan të më shkarkojnë, unë jam vetëofruar për ta lënë këtë detyrë edhe gjithmonë gati që kjo sakrificë të bëhet në zgjedhjen e kësaj krize dhe gjithçka të funksionojë normalisht. Zgjidhim krizën pastaj ikën presidenti”, tha Meta.

Ai theksoi se zgjedhjet lokale në Shqipëri do të zhvillohen në një datë të mëvonshme, por pa dhënë një afat kohor.

Sipas presidentit, Kushtetuta e Shqipërisë nuk e përcakton datën për zgjedhjet dhe kush e pretendon këtë nuk ka lexuar versionin e duhur të Kushtetutës.

Meta ripërsëriti se vendimi për të shfuqizuar 30 qershorin ishte i duhuri për të shmangur konfliktin civil në vend.

“Mora vendimin e duhur për të shmangur një konflikt civil në vend. Republika nuk është mono-partitizëm, as kapje totale e institucioneve nga ana e shumicës dhe delegjitimim i tyre nga ana e opozitës”, tha presidenti. (koha.mk)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu