Presidenti Putin dhe Kancelarja Merkel pajtohen për ti koordinuar veprimet në Siri

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel janë pajtuar në një bisedë telefonike për të koordinuar përpjekjet për paqe në Siri, ka njoftuar Kremlini.

“Është shprehur dëshirë për të avancuar procesin politik në koordinim të ngushtë me Kombet e Bashkuara, në mënyrë që të zgjidhet kriza siriane në periudhë afatgjatë”, ka deklaruar Kremlini më 9 janar.

Merkel dhe Putin kanë diskutuar edhe formimin e komitetit kushtetues për Sirinë, i cili do të punojë në hartimin e kushtetutës së re për shtetin e shkatërruar nga lufta, si dhe kanë përsëritur çështjet e diskutuara në një bisedë tjetër telefonike në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar si dhe në samitin e mbajtur në muajin tetor në Stamboll, me pjesëmarrrës, Rusinë, Gjermaninë, Turqinë dhe Francën.

Biseda e tyre e fundit vjen pas situatës së paqartë që është krijuar prej kur Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për tërheqje të trupave ushtarake nga ky shtet, ndonëse kanë qenë duke ndihmuar sirianët arabë dhe ata kurdë në luftimin e grupit militant, Shteti Islamik (IS) si dhe kundër qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka shpallur më 19 dhjetor fitore kundër IS-it dhe kanë thënë se të gjithë trupat amerikane “do të kthehen dhe do të kthehen që tani”.

Ky njoftim ka shokuar shumë ligjvënës amerikanë dhe aleatë ndërkombëtarë, të cilët kanë thënë se tërheqja e trupave nga Siria do të nënkuptonte fitore për Rusinë dhe Iranin në këtë shtet, si dhe do të braktiste kurdët, që kërcënohen nga forcat turke në Siri.

Pas tërë këtyre pakënaqësive, Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton ka thënë më 6 janar se vendimi për t’i tërhequr trupat amerikane ka qenë kusht për Turqinë, ashtu që të kujdeset për sigurinë e kurdëve në Siri.

Turqia, në anën tjetër, që akuzon shumë luftëtarë kurdë se kanë lidhje me disa separatistë në Turqi është zotuar për të pastruar veriun e Sirisë nga pjesëtarët kurdë që jetojnë atje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu