Presidentja përdori kërkesën e PDK-së në vendimin për kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula e ka përdorur arsyetimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ta kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Sipas arsyetimit të Presidencës që ia ka dërguar Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut, më 22.10. 2026, presidentja ka thënë se pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të PDK-së, si sponsorizues të ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë që ta rishqyrtojë atë.

Në dokumentin që Kallxo.com e ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se rishqyrtimi synon shqyrtimin e mëtejshëm të dispozitave të ligjit, veçanërisht atyre që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në këtë gjykatë.

Në përfundim të arsyetimit, Presidenca njofton se Ligji nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar i kthehet Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim.

Arsyetimi i Presidencës për kthimin në Kuvend të Ligjit për Specialen/dokument zyrtar.

“Në vijim të këtyre konsultimeve dhe takimeve, më 22 tetor 2026 kam pranuar edhe propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i ligjit (Prot. nr. 01-07-1255-01/26, datë 22.10.2026), për t’i dhënë Kuvendit të Republikës së Kosovës mundësinë që ta rishqyrtojë Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me qëllim të shqyrtimit të mëtejshëm të dispozitave të tij, veçanërisht të atyre që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara”– shkruan në arsyetimin e dërguar në adresë të Kuvendit.

Në arsyetimin e vendimit të 22 tetorit, Shiroka Pula ka theksuar se, pas miratimit të ligjit nga Kuvendi më 06.10.2026, kishte shprehur gatishmërinë për shpalljen e tij, duke marrë parasysh sakrificën dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi.

“Duke pasur parasysh sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, pas pranimit të Ligjit […] kam shprehur gatishmërinë për shpalljen e tij, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese”– thuhet në arsyetim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu