Prodhimet 100% shqiptare, në tregjet botërore ja cilat janë ato

Prodhimet 100% shqiptare janë tashmë të pranishme në tregjet botërore, si në Holandë, Angli, Gjermani dhe deri në Zelandën e Re, kjo falë edhe skemave mbështesë të qeverisë që fuqizojnë kompanitë e agropërpunimit.

Falë mbështetjes së qeverisë, një kompani agropërpunimi në tregtimin e hudhrave ka rritur prodhimin nga 200 kg në 2 tonë në ditë, duke punësuar kështu 70 persona, shkruan atsh, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri Edi Rama solli sot shembullin e kësaj kompanie përfituese nga fondet e Agjencisë të Zhvillimit Bujqësor e Rural.

“Mirëmëngjes dhe me këtë shembull domethënës të suksesit në agropërpunim, falë edhe mbështetjes financiare të qeverisë, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.

Administratori i kësaj kompanie shprehet se “të rrisësh prodhimin nga 200 kg në 2 tonë në ditë, mund të duket një ëndërr e pamundur, por falë ndihmës së AZHBR-së është bërë realitet”.

“Investimet e realizuara në pajisje, duke rritur dukshëm kapacitetet tona, bëjnë që prodhimet 100% shqiptare të jenë të pranishme në tregjet botërore, si në Holandë, Angli, Gjermani dhe deri në Zelandën e Re. Kudo të ndodheni në botë, së shpejti do të gjeni një copëz Shqipërie, në çdo treg ku ofrohen prodhime bio, cilësore dhe të shijshme”, thotë ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu