Profil për Ramush Haradinajn: fuqia e tij po rritet (1)

Berat Buzhala

Të gjitha partitë politike kanë bërë sondazhe ditëve dhe javëve të fundit. Në ato sondazhe ato nuk pajtohen se kush është fituesi, por pajtohen për një gjë: AAK dhe Ramush Haradinaj po rriten. Peripecitë gjyqësore nëpër të cilat ai po kalon, e kanë kthyer vëmendjen tek ai. Kështu kishte ndodhur edhe më herët. Në një shkrim në disa vazhdime do të bëj një analizë për të, për rëniet dhe ngritjet e tij, në këto 17 vjet.

Në vitin 2004, në zgjedhjet e dyta nacionale të zhvilluara në Kosovë, Ramush Haradinaj i kishte fituar pak më shumë se 8 për qind të votave të përgjithshme.

Mirëpo, ato pak vota që i kishte fituar, vetëm 3 për qind mbi pragun minimal, i kishte tregtuar në mënyrë të mrekullueshme. I mjaftuan për t’u bërë kryeministër. Dikush këtë pozitë nuk arrin ta bëjë të tijën, edhe nëse i fiton zgjedhjet.

13 vjet më vonë, është shumë vështirë të thuhet se a bëri mirë a keq, se a ishte bekim a mallkim ai driblim politik. Suksesi i shpejtë, kapja e pozitës më të lartë në vend me kaq pak vota, e kishin llastuar Komandantin. E kishin bindur që politika është shumë e lehtë dhe shumë e thjeshtë.

Në fakt nuk është as e thjeshtë, as e lehtë. Marrëveshja e vitit 2004, ishte vetëm fati i fillestarit në kazino. Një fitore e madhe në natën e parë. Kur çdo gjë duket e realizueshme. Mirëpo, më pjesën më të ndytë të kazinosë do të njoftohesh në netët në vijim. E posaçërisht do ta kuptosh shumë më mirë konceptin e saj, kur tashmë e ke bërë rrush e kumbulla të gjithë fitimin e natës së parë, dhe ca më tepër.

Thuhet se mallkimi më i rëndë që një hebre ia bën një tjetri është: Paq, e mos paq.

Nga ushtarak në politikan

Ramush Haradinaj edhe para zgjedhjeve të vitit 2004, në ato të vitit 2001, sillej rreth kuotës së tetë përqindëshit.

Me një fjalë fuqia e tij politike ishte ngujuar në një hapësirë të ngushtë, kryesisht nëpër kullat e Dukagjinit. Fillimisht nëpër fshatra, në të cilat ai kishte luftuar, por gradualisht kishte filluar të shtronte ndikimin e tij edhe në zona të asfaltuara.

Në ndërkohë, përgjatë këtyre viteve kur ne po flasim, fillimin e këtij shekulli, Haradinaj përfshihet kohë pas kohe edhe në zënka të ndryshme të palavdishme, që ia rrënonin reputacionin, të cilin ai e ndërtonte me shumë mund.

Kapej në flagrancë duke provuar që ta imponojë rendin dhe ligjin në mënyrë paralele. Bie fjala rasti i Strellcit. Ose edhe qërimi i hesapeve në baza individuale me ushtrinë e dytë më të fuqishme në planet, atë ruse.

Me apo pa vullnetin e tij, Peja për një kohë të gjatë konsiderohej Perëndimi i Egër i Kosovës. Çdo javë kishte vrasje. Me apo pa meritë të tij shumë prej atyre veprave i visheshin Ramushit, ose njerëzve të tij të afërt.

Këtyre paragjykimeve iu ndihmonte edhe ai vetë, duke e nënvizuar kastile imazhin e një komandosi politik. Nëse politikanët tjerë ruheshin prej truprojave, në qytet flitej se Ramushi i ruante të vetët. Këtë e thoshte edhe ai me humor. Sa herë që dilte prej ndonjë restoranti, ose ndonjë klubi të natës, i pyeste truprojat: “Djem a ju nguci kush”.

Pastaj ushtrimet e pandalshme. Muskujt enormë. Maratonat e pafundme. Ishte një politikan jashtë serik.

Edhe daljet në restorante dhe klube të natës i kishte ndryshe nga gjenerata e re e politikanëve. Ramushi dilte natën me xhinse, këpucë të bjeshkëve dhe bluza të ngushta. Ndoshta nuk ishin bluzat e ngushta. Ndoshta trupi i tij ishte shumë i gjerë.

I fliste secilit për dore, e kohë pas kohe e bënte edhe ndonjë djallëzi. Mirëpo, njerëzve iu pëlqente. Ishte shumë më i afërt me ta, se sa të tjerët.

Imazhi i tij nuk ishte ai i një intelektuali, në formën qysh banorët e Kosovës e paramendojnë atë, e ku rol kyç ka pjesa teknike, si kravata dhe këmisha e bardhë, pa marrë parasysh kohën, hapësirën dhe aktivitetin.

Këto paragjykime, me gjasë nuk e mërzitën asnjëherë Haradinajn. Ai të qenit ndryshe e ktheu në përparësi.

Një gjë e tillë ra në sy, posaçërisht te diplomatët perëndimorë. Njohja e disa gjuhëve të huaja, stili i tij i jetesës, (swimming, hiking, biking, running), njohuritë përtej mesatares për verërat, për konjakët, për purot, rrëfimi pasur jetësor, sakrificat e mëdha në luftë, të tij dhe të familjes, guximi i tij (i tepruar), e shndërruan në stacion të domosdoshëm për t’u ndaluar. Të mos themi në atraksion turistik.

Me të, pra me Ramushin, kënaqeshin shumë, sidomos pjesa e stafit diplomatik që ka prapavijë ushtarake ose të spiunazhit. Ishte shndërruar në një lloj idhulli për ta. Kjo gjë bëhej edhe më e domosdoshme, nëse i kujtojmë torturat që Hashim Thaçi ua kishte shkaktuar ndërkombëtarëve, duke e përvetësuar çdo gjë që kishte lidhje me luftën.

LDK, ndonëse e madhe në numra, ishte joekzistente në vendimmarrje. Ishte një parti e frikësuar dhe e frikësueshme. Prandaj të huajt po e kërkonin dikë që do t’i thoshte Thaçit stop – jo vetëm në vota.

Kush tjetër do ta bënte këtë punë më mirë dhe më me kënaqësi sesa Ramushi, i cili as gjatë luftës, as kur kishte mbetur me disa dhjetëra luftëtarë në mal, nuk ishte nënshtruar.

Ka tregime e tregime për raportet e tij me “krahun e Drenicës”, posaçërisht me Shtabin e Përgjithshëm.

Libra të botuar pasluftës tregojnë se Ramushi, së paku në një rast, kishte polemizuar me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm me breshëri automatiku. Në shenjë pakënaqësie e kishte bërë blozhdë tavanin e shtabit.

Nuk ishte ndalur me kaq. Pas përfundimit të asaj mbledhjeje, kur nervat edhe më tutje nuk i ishin qetësuar, mllefin e kishte shprehur edhe me një rafal të dytë, tash në oborrin e shtabit.

Kishte shënuar me armën e tij në drejtim të një WC-je fushore. Për pak sa nuk e kishte vrarë një bashkëluftëtar të tij, i cili në atë moment kishte qëlluar brenda WC-së, duke u liruar. Nuk dihet se ku e kishte liruar nevojën ai ushtari.

Pra, me një fjalë, në Prishtinë ishte kuptuar shpejt, e edhe te ndërkombëtarët, se Haradinaj nuk ishte një politikan që mund të frikësohej. Numrat për të nuk kishin shumë rëndësi.

Në këtë mënyrë kishte lindur edhe ideja që Ramushit t’i jepej një rol më i madh në skenën politike. Këtë rol, fill pas luftës, ai nuk do të mundë ta realizonte nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ku kishte qenë zëvendëskomandant.

Legjendat urbane tregojnë që ishin britanikët ata që e kishin planifikuar, bashkë me Ramushin, themelimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kjo gjë as nuk mund të vërtetohet, por as nuk mund të mohohet. Ajo që dihet është se britanikët dhe amerikanët vazhdimisht kanë pasur një lloj rivaliteti në Kosovë, duke filluar që nga paslufta. Dhe një gjë e tillë nuk është parë askund më mirë sesa te animi i tyre, të parët për AAK-në, të dytët për PDK-në.

Sa për ilustrim: në qeverinë e vitit 2004 – 2007, atë të AAK-së dhe LDK-së, në të cilën pozita e kryeministrit i takonte të parës, korridoret e Kryeministrisë ishin të mbushur me britanikë të organizatave të ndryshme.

Pas zgjedhjeve të vitit 2007, kur PDK-ja e mori pushtetin, bashkë me largimin e AAK-së u larguan edhe britanikët, për t’u vendosur amerikanët.

Thuhet që Britania e Madhe dhe SHBA në dy dekadat e fundit janë pajtuar për çdo krizë botërore, por ironikisht jo edhe për Kosovën.

Ishin pajtuar për kryegjënë, për çlirimin dhe për pavarësinë e Kosovës, por jo edhe për protagonistët.

Çarjen e parë e kishin shkaktuar dy gjeneralët e NATO-s, Michael Jackson dhe Wesley Clark, i pari britanik, i dyti amerikan, i pari në Kosovë, i dyti në Bruksel.

Kur po përfundonte lufta, në vitin 1999, gjenerali Clark e kishte urdhëruar gjeneralin Jackson që t’i pengonte trupat ruse që po marshonin drejt aeroportit të Sllatinës.

Ishte prishur hierarkia, Jackson i kishte thënë shefit të tij në Bruksel se s’e kishte ndërmend ta niste luftën e tretë botërore në fshatin Sllatinë.

Pas disa muajsh, Jackson kishte dështuar që ta bindte klasën politike dhe ushtarake në Kosovë, për ta çmilitarizuar UÇK-në, sipas kushteve të tij. Propozimi i tij kishte qenë brutal: zhvishuni dhe hidhini armët.

Kjo ide i preku në sedër djemtë e luftës. U desh të vinte amerikani Clark për ta zgjidhur këtë nyje.

Një rivalitet i tillë si duket ishte bartur edhe në diplomaci. Britanikët, me ndihmën edhe të Blerim Shalës, atëbotë botues i Gazetës “Zëri”, e kishin zgjedhur njeriun e tyre në Kosovë – Ramushin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu