Kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar sot paralajmërimin e studentëve shqiptarë për protestën e dytë më 18 maj, lidhur me kërkesën për mbrojtjen dhe dhënien e provimeve shtetërore në gjuhën shqipe, përcjell INA.
Ai deklaroi se Qeveria po punon për një zgjidhje konkrete dhe se shumë shpejt pritet të prezantohet një propozim në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare.
“Është çështje për të cilën ne si qeveri punojmë. Jam i bindur që shumë shpejt do të dalim me propozim zgjidhje. Jam i bindur që ai propozim do të jetë sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, dhe sipas standardeve ndërkombëtare, kështu që unë i lus të gjithë ata që janë pjesë e këtij procesi që të jenë të durueshëm”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se ka forca politike që, sipas tij, synojnë tensione dhe protesta, në vend të reformave dhe progresit institucional.
Ndërkohë, studentët e universiteteve shqiptare në Maqedonia e Veriut kanë paralajmëruar protestën e dytë për të hënën, më 18 maj. Kreu i lëvizjes studentore, Mevlan Ademi përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë thirrje për mobilizim masiv me mesazhin: “Si të parët tanë për këtë amanet!”. Protesta vjen pas asaj të organizuar një muaj më parë para Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë, ku studentët kërkuan të drejtën për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera shtetërore në gjuhën shqipe, të drejtë që sipas tyre garantohet edhe me Kushtetutë. Deri më tani, nuk është marrë ndonjë vendim institucional për realizimin e kësaj kërkese./INA/










