Deputeti i LDK -së Driton Selmanaj tha se sot u vërtetua se qeveria e kryeministrit Albin Kurti është kundër agjendës amerikane për Kosovën dhe interesave strategjike të Kosovës, transmeton InfoShqip.
Selmanaj tha se abstenimi i deputetëve në pushtet të Vetëvendosjes nga votimi i rezolutës për Marrëveshjen e Uashingtonit në Kuvendin e Kosovës tregon se qeveria dhe shumica po veprojnë kundër agjendës strategjike për Kosovën.
“Për ata që kanë ende dilema se qeveria e Vetëvendosjes dhe kryeministri Kurti janë kundër agjendës amerikane për Kosovën, sot është vërtetuar zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës” – tha Selmanaj.
Sot, Aleanca Demokratike e Kosovës i propozoi Kuvendit një Rezolutë që i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë plotësisht Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, si dhe të përgatisë një plan veprimi dhe ta dërgojë atë në Kuvend.
Selmanaj deklaroi se rezoluta mori mbështetjen e vetëm deputetëve të opozitës, votat e të cilëve nuk ishin të mjaftueshme për miratimin e saj.
-“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të administratës së re të Presidentit Biden, për domosdoshmërinë e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Qeveria dhe shumica parlamentare në Kuvend vendosin të veprojnë dhe veprojnë kundër kësaj axhende strategjike të shtetit tonë. Një qasje e tillë është kundër Kosovës dhe kundër interesave strategjike për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Vetëm dhe vetëm në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, Kosovës i garantohet perspektiva dhe zhvillimi i saj. Nuk ka rrugë tjetër” – tha Selmanaj./InfoShqip.com









