Pse Cristiano Ronaldo dëshiron të largohet nga Manchester United

Cristiano Ronaldo rrëmbeu të gjithë vëmendjen mediatike pas kërkesës për tu larguar nga Manchester United, nëse vjen një ofertë e kënaqshme në adresë të Djajve të Kuq. Pesë herë fituesi i Topit të Artë bëri një rikthim emocionues në Old Trafford pas 12 vitesh në verën e shkuar, dhe pavarësisht një sezoni të shkëlqyer në aspektin individual, ekipi nuk arriti të pozicionohej në katër vendet e para të kampionatit anglez. Portugezi ka një lidhje të veçantë me Manchester United, ndërsa periudhën më të spikatur me Djajtë e regjistroi nga viti 2003-2009, ku fitoi tre tituj të Premier League dhe një herë Ligën e Kampionëve.

Sidoqoftë, nëse ai mban veshur fanellën e 20-herë kampionëve të Anglisë edhe për një vit tjetër, do të ishte viti i parë që pas 2002 që nuk do të luajë në Champions League, por në kompeticionin e dytë nga rëndësia, Europa League. Nuk ka dyshime që ky është një problem shumë i madh për dikë që e ka fituar trofeun me ‘veshë të gjata’ pesë herë (2008, 2014, 2016, 2017, 2018) dhe që mban rekordin për shumë gola të realizuar në kompeticionin elitar, plot 141 të tillë.

Përse Ronaldo dëshiron të largohet?

Në moshën 37 vjeçare, Ronaldo dëshiron të sigurohet që ka ende disa vite të mbetura në nivelet më të larta dhe nuk është i sigurt nëse United ia ofron diçka të tillë për momentin.

Ylli portugez kërkon me ngulm që Djajtë e Kuq të pretendojnë për gjëra madhore dhe që skuadra të reflektojë të njëjtat ambicie si ai, por transferimi i parë i verës nga klubi nuk është zyrtarizuar ende kur ka kaluar më shumë se një muaj nga fillimi i merkatos së verës dhe ky është një fakt shqetësues. Manchester United ka arritur akordin me mbrojtësin e majtë të Feyenoord, Tyrell Malacia ndërkohë që vijojnë tratativat për shërbimet e Frenkie de Jong, Christian Eriksen dhe Lisandro Martinez.

Cili është qëndrimi i Manchester United lidhur me kërkesën e portugezit?

Manchester United dëshiron ta mbajë Cristiano Ronaldon dhe ka njoftuar që lojtari nuk është në shitje, ndërsa ka edhe një vit të mbetur në kontratë. Trajneri i ri, Erik ten Hag ka folur me fjalët më të mira për Cristiano Ronaldon dhe nuk e ka fshehur entuziazmin rreth bashkëpunimit me të. Një nga aspektet që mund t’i stepë disa klube rreth firmës me portugezin është fakti që ai vrapon më pak në krahasim me disa sezone më parë, por instikti i golit ka mbetur i pandryshuar.

A është Ronaldo akoma tërheqës për klubet?

Ai ishte golashënuesi më i mirë United në sezonin që lamë pas, ku shënoi 24 gola në 38 ndeshje. Edhe pse në moshën 37-vjeçare, ai u rendit i treti në listën e golashënuesve të Premier League me 18 gola.

Nuk ka pasur asnjë rënie në rendimentin e tij para portës në sezonet e fundit, teksa me Juventusin shënoi respektivisht nga 28, 37 dhe 36 gola për secilin sezon ku u aktivizua në Torino.

Dyshimet rreth formës fizike mbeten gjithashtu në rrafshin abstrakt, pasi portugezi në dy sezonet e fundit ka humbur vetëm 19 ditë për shkak të dëmtimeve.

Cilat klube janë të interesuara për të?

Pronari i ri i Chelseat, Todd Boehly u takua me agjentin Jorge Mendes në muajin e kaluar. Ideja e kalimit të Ronados të Blutë e Londrës ishte tema kryesore e diskutimit. Është e paqartë nëse londinezët do e finalizojnë këtë tratativë ndërsa Chelsea lejoi Lukakun të rikthehet te Inter në huazim pak ditë më parë, që nënkupton që sulmi mbetet prioritet për skuadrën e Tuchel.

Mundësia e kalimit te kampionët e Bajernit të Mynihut është reale, me gjigantët gjermanë që mund të humbasin Robert Lewandowskin për shkak të interesimit nga Barcelona dhe një tjetër ‘peshë e madhe’ si Ronaldo do të duhej në Allianz Arena për të entuziazmuar bavarezët.

Ndërkohë që në Itali, surpriza më e madhe vjen nga Napoli që ka shprehur interesim për portugezin, por që mundësia e transferimit është shumë e ulët për shkak të pretendimeve të larta financiare të Ronaldos.

A do të ishte largimi i tij nga United një problem?

Largimi i tij do të ishte një goditje e rëndë në prag të edicionit të ri futbollistik për Djajtë e Kuq. Erik ten Hag ka qenë duke u përgatitur përgjatë gjithë kohës për punën me Ronaldon dhe ka menduar idetë rreth përdorimit të tij në fushën e lojës. Kështu që, nuk ka dyshime që dëshira e CR7 për t’u larguar krijon turbulenca, sidomos pasi United ende nuk e ka kryer transferimin e parë. Dhe me largimin e Ronaldos, 20-herë kampionët e Anglisë do futeshin në edicionin e ri futbollistik pa një sulmues të mirëfilltë.

A janë shqetësimet e Ronaldos për strategjinë e United në merkato të justifikuara?

Shqetësimi i Ronaldos për politikën e United gjatë afatit kalimtar është plotësisht i drejtë. Kampionët e Manchester City kanë përforcuar grupin me afrimet e Erling Haaland, Julian Alvarez dhe Stefan Ortega. Ndërkohë, Liverpool kanë bërë një goditje të madhe në ofensivë duke transferuar Darwin Nunez.

Skuadrat e forta në Premier League po përforcohen akoma edhe më shumë, teksa fituesit e edicionit të fundit të Champions League, Real Madridi ka qenë aktiv duke afruar Aurelien Tchouameni dhe Antonio Rudiger.

Është e lehtë për t’u kuptuar arsyeja se përse Ronaldo ka mbetur i zhgënjyer nga merkatoja e Manchester United, ndërkohë që rivalët po e shfrytëzojnë në maksimum kohën e cmuar të transferimeve duke shtuar akoma edhe më shumë kualitetet në skuadër.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu