Pse disa prindër zviceranë po duan t’i shkollojnë fëmijët në shtëpi

Në kohën kur në Zvicër po zhvillohet debat për lejimin ose ndalimin e shkollimit të fëmijëve nga shtëpia, cilat janë arsyet që disa prindër zviceranë po duan të mos i dërgojnë fëmijët fare në shkollë?

Përktheu: Nasuf Abdyli

Vendimi i një gjykate federale të Zvicrës se në Zvicër nuk ekziston e drejta kushtetuese për shkollimin e fëmijëve në shtëpi, pas një ankese të dorëzuar nga një nënë që donte ta shkollonte djalin e saj të talentuar në shtëpi në Basel, ka nxitur diskutime dhe reagime të ndryshme.

Shumë njerëz pyesin pse këta prindër nuk duan t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat e Zvicrës, kur sistemi arsimor i këtij shteti cilësohet në përgjithësi si njëri ndër më të mirët në Evropë?

26 kantonet e Zvicrës kanë kompetenca për çështjet e arsimit dhe kanë politika të ndryshme për lejimin e shkollimit të fëmijëve në shtëpi. Për këtë arsye, kjo nënë e dërgoi rastin në gjykatë, pasi Basel-i ka rregulla më të ashpra kur bëhet fjalë për shkollimin në shtëpi.

Sipas një ankete të realizuar nga gazeta “Tages-Anzeiger”, në Zvicër janë më shumë se dy mijë fëmijë që shkollohen vetëm në shtëpi, ndërsa ky numër është duke u rritur. Në pesë vjetët e fundit, kjo shifër është dyfishuar ose trefishuar në pesë rajonet më të mëdha.

Njëra ndër arsyet pse prindërit duan t’i shkollojnë fëmijët në shtëpi, sipas Willi Villiger-it, kryetar i Shoqatës Zvicerane për Shkollim në Shtëpi, është rritja e fëmijëve sipas idealeve familjare. Këta prindër frikësohen se fëmijët e tyre mund ta humbin ndjenjën e kënaqësisë së të nxënit në shkollë.

Villiger-i i përmend edhe dy grupe të tjera të prindërve. Në grupin e parë janë prindërit që nuk janë të kënaqur me cilësinë e shkollave lokale, ndërsa në grupin e dytë bëjnë pjesë prindërit që kanë fëmijë me probleme shëndetësore dhe psikologjike.

Arsye të tjera për përdorimin e këtij lloji të shkollimit janë dëshira për t’i mësuar fëmijët në një mjedis dygjuhësor, ndjenja e kënaqësisë që e kanë prindërit kur i mësojnë fëmijët e vet dhe plotësimi më i mirë i nevojave dhe dëshirave të fëmijëve, shkruan “Swissinfo”, transmeton Express.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu