PSG i bën gati ofertën e majme CR7

Futbolli është ndalur për shkak të përhapjes me shpejtësi të koronavirusit, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për zërat e merkatos, të cilat këto ditë vijnë më të forta se kurrë, pasi drejtuesit e shumë klubeve po shfrytëzojnë ndërprerjen për të planifikuar sezonin e ardhshëm.

Kështu mediat spanjolle raportojnë se Paris Saint Germain po përgatitet t’i bëjë një ofertë shumë të majme yllit portugez të Juventusit, Cristiano Ronaldo, i cili pas dy sezoneve me fanellën bardhezi, nuk është se ndihet shumë i lumtur për zgjedhjen që ka bërë.

Klubi francez pritet të shesë brazilianin Neymar këtë verë dhe ka ndërmend që një pjesë të mirë të parave t’i investojë pikërisht te Ronaldo, që bashkë me Kylian Mbappe, do të mund të formonte një dyshe ëndrrash në repartin e avancuar.

Momentalisht te Juventusi janë të bindur që të mos heqin dorë nga sulmuesi portugez, i cili ka kontratë me bardhezinjtë deri në verën e 2022-shit, madje zërat nga Torino flasin se po mendohet edhe rinovimi i kontratës me Ronaldon, por situata mund të ndryshojë shpejt.

Kjo pasi sezonin e fundit Juventus regjistroi një humbje të konsiderueshme në bilanc dhe këtë vit dëmi mund të jetë edhe më I madh, duke pasur parasysh humbjet që do të pësojnë thuajse të gjithë klubet nga ndërprerja e kampionatit.

Pikërisht kjo situatë mund ta detyrojë Andrea Agnellin të pranojë shitjen e sulmuesit portugez për një shifër prej 70-80 milionë eurosh, të cilave do t’u shtoheshin më shumë se 30 milionë euro të shpenzuara për pagën e tij, para këto të mjaftueshme për të rregulluar bilancin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu