Qytetarët e Maqedonisë të “etur” për debate mes liderëve (VIDEO)

Prej më shumë se një dekade qytetarët e Maqedonisë nuk kanë ndjekur asnjë përballje televizive mes liderëve kryesor të partive në vend. Pavarësisht interesit të lartë, analistët nuk presin që një gjë e tillë të ndodh edhe para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit. Organizata joqeveritare “Civil”që në muajin shtator i ka ftuar zyrtarisht në një debat publik krerët e dy partive kryesore maqedonase Nikolla Gruevskin e VMRO-DPMNE-së dhe Zoran Zaevin e LSDM-së. Por, vetëm ky i fundit i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese. I pyetur nga televizioni Alsat, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Ivo Kotevski, as nuk konfirmoi dhe as nuk demantoi mundësinë e përballjes televizive të Gruevskit me rivalin e tij politik para këtyre zgjedhjeve. Drejtuesit i organizatës “Civil” e quan mungesë të kulturës politike shmangien e debateve.

“Qytetarët e Maqedonisë presin që ti shohin në një duel publik liderët e dy partive me qëndrime të kundërta. Një debat i tillë nuk po ndodh për shkak të mungesë së kulturës politike dhe për shkak të nënçmimit të publikut në stilin se nuk kemi përse të ballafaqohemi me rivalin politik pasi populli është ai që vendos në fund”, tha Xhabir Deralla, CIVIL.

Edhe në bllokun shqiptarë, kreu i BDI-së në pushtet Ali Ahmeti vite me radhë nuk i është përgjigjur thirrjeve të liderit të PDSH-së opozitare Menduh Thaci për kryqëzimin e argumenteve para kamerave televizive. Nga BDI-ja janë skeptik se mund të ketë debat parazgjedhor pasi thonë se për një gjë të tillë në të kaluarën nuk ka pasur gatishmëri tek lideri i opozitës. Sipas profesorit Sefer Tahiri, shmangja e liderëve të partive në pushtetar nga debatet ndodh për shkak të mungesës së argumenteve dhe ofertave reale.

“Unë mendoj se bëhet fjalë për dy arsye kryesore. E para është megalomania politike kurse arsyeja tjera është mungesa e argumenteve konkrete që kanë të bëjnë me zbatimin e politike në sfera të ndryshme të cilat në ballafaqim me opozitën do të shihet se nuk janë realizuar”, deklaroi Sefer Tahiri, profesor.

Përballja e fundit televizive mes liderëve shqiptarë ka qenë në vitin 2006 mes kreut të BDI-së Ali Ahmeti dhe ish liderit të PDSH-së, politikanit tashmë të ndjerë Arben Xhaferi.

Ndërkohë, në bllokun politik maqedonas ballafaqimi i fundit televiziv është mbajtur në vitin 1998 mes liderit të atëhershëm të LSDM-së Branko Cërvenkovski dhe atij të VMRO-DPMNE-së, Lubço Georgievski./alsat-m


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu