Rama e Vuçiqi marrin “goditjen” e radhës, “Ballkani i Hapur” drejt dështimit të sigurt

Projekti “Ballkani i Hapur” që nga fillimi i tij, ka pasur kundërshtime të mëdha nga shtetet e rajonit. Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia janë të vetmet shtete që po e përkrahin dhe po e cilësojnë si të nevojshme këtë nismë. Së fundi edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka cilësuar nismën e “Ballkanit të Hapur” si konkurrencë të pashëndetshme për proceset e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai në Forumin Alpbachut ka thënë se në këtë rast, kjo iniciativë nuk është konkurrencë e shëndetshme, duke shtuar se ka shumë nisma të tjera të cilat kanë të njëjtin qëllim siç është edhe CEFTA.

Tutje, Lajçak ka thënë se iniciativa të tilla duhet t’i afrojnë më shumë vendet partnere se sa t’i përçajnë e largojnë ato. Ai ka shtuar se duhet shmangur situatat kur platformat e tilla i bëjnë këto vende garuese me njëra-tjetrën.

Analistët në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” e mbështetën qëndrimin e Lajçakut, derisa ata paralajmërojnë dështimin e këtij projekti. Kujtojmë se “Ballkani i Hapur” është nismë e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi deri tash e kanë refuzuar bashkimin në këtë nismë.

Voca: Nuk ka zgjidhje tjetër përveç integrimit të BE, “Ballkani i Hapur” nuk mund të realizohet

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Mirsad Voca në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar kundërshtimin e përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Ljaçak për “Ballkanin e Hapur”.

Fillimisht, ai i paralajmëroi shtetet që po e përkrahin këtë projekt (Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë) se nuk mund të hapen negociata për integrim pa u konsoliduar si shoqëri dhe si shtet.

Disa shtete të frustruara sepse të korruptuara, me ekonomi të dobët, jo të integruara mjaftueshmërisht nga brenda, nuk e kanë kuptuar ende se nuk mund të hapen negociata për integrim pa u konsoliduar si shoqëri dhe si shtet për të arritur atë që e quajmë « acquis communautaire»”, deklaroi Voca.

Në vazhdim, ai tregoi edhe synimet e Shqipërisë dhe vendeve që po e përkrahin “Ballkanin e Hapur”, duke shtuar se ato në vend që të punojnë për t’u integruar si shtete përbrenda ata pretendojnë të hapen mes vete pa i përmbushur detyrat që parashtrohen nga BE.

Disa liderë të Ballkanit Perëndimor, madje të Shqipërisë, mendojnë se ideja e një Ballkani të hapur do të ishte një iniciativë e mirë kundrejt BE-së që po i bllokon negociatat me disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Dhe në vend që të punojnë për t’u integruar si shtete përbrenda ata pretendojnë të hapen mes vete pa i përmbushur detyrat që parashtrohen nga BE.

Nuk mund të besohet se një iniciativë e tillë do të arrinte « acquis communautaire » meqë kjo varet ekskluzivisht nga secili vend në formë vetanake”, theksoi njohësi i çështjeve ndërkombëtare.

Kurse, Voca paralajmëroi se ky projekt nuk do të mund të realizohet për shkak se jot ë gjitha shtetet në Ballkan e njohin njëra-tjetrën, përfshirë këtu rastin e Bosnjës dhe Serbisë të cilët nuk njohin Kosovën.

Dhe, duke u bazuar në këtë nuk mund të ketë një partneriteti ndërshtetëror dhe rajonal, nëse Serbia dhe Bosnja nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Sa i përket hapjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj njëri tjetrit, një gjë e tillë nuk mund të realizohet kur kemi shtete që nuk njohin njëri-tjetrin, siç kemi rastin e Bosnjës dhe Serbisë të cilët nuk njohin Kosovën. Rrjedhimisht, bashkëpunim rajonal mund të ketë vetëm mbi bazën e një partneriteti ndërshtetëror dhe kjo nuk mund të ndodh tani duke e ditur që Serbia që e dëshiron një Ballkan të hapur nuk njeh shtetin e Kosovës. Prandaj, vetëm mbi një bazë të shëndosh ku shtetet njohin dhe respektojnë njëri tjetrin dhe kufijtë e tyre mund të krijojnë iniciativa apo bashkëpunime rajonale.

Këtu shoh vetëm një zgjidhje që nënkupton se Ballkani i Hapur do të realizohej brenda BE-së, atëherë kur shtetet e Ballkanit Perëndimor konsolidohen si shoqëri dhe si shtete, njëkohësisht duke e njohur dhe respektuar integritetin shtetëror reciprokisht dhe assesi ndryshe”, theksoi ai.

Tutje, Voca potencoi se nuk ka zgjidhje tjetër përveç integrimit në BE, dhe se çdo tentative tjetër do të krijonte situata të reja me potencial të rrezikshëm konfliktuoz dhe nevojë të pareshtur për zgjidhje të reja.

Kjo iniciativë e njëanshme, e që në këtë rast konkret, burimin e së cilës e gjejmë tek një frustrim politik të dy a tri shteteve të Ballkanit Perëndimor e tek njëri nga to, kemi të bëjmë me një interes hegjemonik serb duke e ditur qartazi se shteti serb mohon ekzistencën e shtetit të Kosovës. Çdo zgjidhje tjetër përveç Integrimit në BE, do të vazhdoj zingjirin e atyre zgjidhjeve që i quaj të paqarta, ambivalente, të pasigurta, e që sjellin gjithnjë situata të reja me potencial të rrezikshëm konfliktuoz dhe nevojë të pareshtur për zgjidhje të reja”, përfundoi Mirsad Voca.

Pula: “Ballkani i Hapur” mësim për Bashkimin Evropian

Njëjtë mendon edhe njohësi tjetër i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula. Ai në prononcimin e tij u shpreh se projekti “Ballkani i Hapur” është i dëmshëm për rajonin, ku fatmirësisht ka shumë kundërshtarë e pak përkrahës.

Iniciativa mbi “Ballkani i Hapur” tashmë ka pak përkrahës e shumë kundërshtarë. Cilado iniciativë qoftë ajo, me shtete si Serbia, me fytyrë të buzëqeshur e veprime tendencioze për t’a minuar shtetësinë e Kosovës, natyrisht që është jo serioze dhe fare pak, e shëndetshme për Ballkanin. Andaj, në ato takime, mund të ketë politika edhe të gabuara dhe zotim të dobët për jetësim të tyre, pa mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Unionit Evropian”, deklaroi Pula.

Ai shtoi se ky projekt është si rezultat i dështuar të Bashkimit Evropian për një ri pajtim të sinqertë fqinjësie ndërmjet vende të rajonit tonë, konkretisht Kosovës e Serbisë.

Unioni Europian, deri më tash, karotën e shkopin, për vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e ka pasur racional. Prandaj dhe, lindin ide, e bëhen iniciativa të tilla, si “Ballkani i Hapur” edhe si rezultat i përpjekjeve tashmë të dështuara të UE-së për një ripajtim të sinqertë fqinjësie ndërmjet vende të rajonit tonë, konkretisht Kosovës e Serbisë”, tha ndër të tjera Pula.

Në fund, ai shpreson që “Ballkani i Hapur” të jetë një mësim për BE-në, në mënyrë që ta rikthejë seriozisht vëmendjen tek rajoni ynë dhe të ndihmojë në zgjidhjen e disa problemeve.

UE-ja i kishte nënvlerësuar aspektet e gjeografisë politike dhe demografisë të rajonit tonë, kështu që, mbeti tek vullneti i shteteve të rajonit t’i rikrijojnë dhe forcojnë marrëdhëniet politike të tyre, tërthorazi duke argumentuar edhe një lloj dështimi të UE-së, karshi Ballkani Perëndimor. Për më tepër, kjo iniciativë (“Ballkani i Hapur”) duhet të jetë një mësim i rëndësishëm për UE-në, për t’a rikthy seriozisht vëmendjen tek rajoni ynë”, përmbylli Shqiprim Pula


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu