Rama flet sërish për kontratën me “Sunny Hill”: Nuk e kemi dhënë tokën për 99 vjet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i është kthyer sërish çështjes së festivalit “Sunny Hill”. Ai ditën e djeshme (e hënë) ka qenë i ftuar në emisionin “Kallxo Përnime”, në një përballje me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi.

Rama e ka sqaruar se me sa vite të drejtë shfrytëzimi kishte negociuar me “The Sunny Hill” SH.P.K për tokën në Bërnicë të Poshtme.

I njëjti deklaroi se sipas draft-kontratës, festivali do ta shfrytëzonte pronën prej 17 hektarësh deri në 99 vjet, dhe jo gjithsesi për kaq vite.

Pasi sipas tij, pas 25 vitesh vendoset nëse do t’i zgjatet festivalit edhe 25 vite të tjera, për të cilën ka theksuar se janë disa kushte.

Draft-kontrata thotë aty që “Sunny Hill” raporton çdo 6 muaj në Kuvend, çdo vit duhet me ndodhë festivali i nivelit të Dua Lipës, nëse tri vite me radhë nuk ndodh atëherë toka i kthehet Komunës. Pika tjetër thotë se në vitin 25, nëse çdo gjë është mirë, i konvenon dy palëve prapë Komuna mundet me vendos që t’ia kthej tokën vetes nëse mendon që nuk po përdoret për të mirën e kryeqytetit apo ka një plan program për investime tjera, duke i dhënë pesë vite festivalit që të gjejë një vend tjetër. Pra teknikisht 30 vite. Në 25 vite vendos, që jemi në rregull, atëherë shkon +25, +25 deri në maksimum 99 vite. 99-vitëshi është një element, nëse krejt Kosova e ka harru atë tokë, i kthehet automatikisht. Nuk është vetëm në 99 vite edhe është kryer puna”, tha kryetari.

Më tej deklaroi se e ka ulur nga 22 hektarë në 17 hektarë që t’i jepen “The Sunny Hill ” SH.P.K.

“Atë 99 nuk e kam sjell unë, e kam gjetur. Kam bërë më të mirë më të mirën për kryeqytetin”, tha ai. “Unë nuk e shoh si problematike çështjen e 60-ditëshit të kalendarit, është e mjaftueshme”. “Sunny Hill” javë më parë u anulua në Prishtinë dhe u zhvendos në Tiranë, teksa ditë më vonë u bë e ditur se do të mbahet në të dy vendet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu