Në një editorial për Politico.eu, kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria po bëhet gati për në Bashkimin Europian. Ai thekson se nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të shkojë në BE, ndoshta BE mund të vijë tek ne.
Pjesë nga editoriali
18 vite më parë në samitin e vitit 2003 BE-Ballkani Perëndimor në Selanik na u tha se ardhmja e Ballkanit është brenda BE. Be-ja që atëherë ka përsëritur qartë mbështetjen e saj për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor pasi samitet tani mbahen çdo vit, ku përsëriten të njëjtat deklarata.
Në atë kohë kryefjala e BE ishte “zgjerimi”. Tani mbështetja e qartë e Europës është bërë kontigjente dhe ndoshta grindjet e brendshme të bllokut nënkuptojnë se premtimi për zgjerim duhet të anulohet përkohësisht. Megjithatë ne nuk presim BE-bë. Ne po përgatitemi për të dhe po krijojmë një mundësi për njerëzit tanë.
Besoj se shqiptarët janë ndër komunitetet më pro BE-së në Europë. Kur komunizmi u shemb dhe ne ishim të lirë të zgjidhnim rrugën tonë, ne zgjodhëm Brukselin. Që atëherë, ne kemi bërë gjithçka që na kërkohet për anëtarësim. BE-ja mund të jetë e paaftë për të përmbushur premtimet e saj, por Shqipëria është akoma e përkushtuar ndaj idealeve evropiane, dhe ne me shumë mundësi do t’i qëndrojmë besnike parimeve të saj themeluese, edhe pasi anëtarët e saj i kanë lënë ato prapa.
Brezat tanë të ardhshëm meritojnë të gëzojnë shpërblimet e anëtarësimit, por ne jemi peng i të njëjtave forca historike të ndarjes që BE-ja u krijua për të eliminuar. BE-ja duhet të pranojë se po humb fytyrën me mbrojtësit e saj më të fortë, ndërsa përparimi ynë drejt anëtarësimit bllokohet nga vetëm një veto e çuditshme e Bullgarisë.
E njëjta pasiguri vlen edhe për Maqedoninë e Veriut, e cila ka shkuar aq larg sa ka ndryshuar emrin, dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët tani janë më pak të lirë të udhëtojnë se më parë, edhe pse i kanë përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së.
Por nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të vijë në BE, ndoshta BE-ja mund të vijë në Ballkanin Perëndimor. Ka hapa konkretë që mund të ndërmerren menjëherë. BE-ja mund të krijojë mekanizma bashkëpunimi që vendosin në mënyrë efikase disa nga përfitimet e dyanshme të anëtarësimit, pa ngritur indinjatën e atyre që kundërshtojnë pranimin tonë.









