Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas raportimeve se Boiken Abazi është pajisur me shtetësi të Kosovës.
Rama përmes një postimi në Facebook, ka rikujtuar se Abazi ishte dëbuar nga Kosova në vitin 2016, me arsyetimin se përbënte rrezik për sigurinë kombëtare.
Ai ka përmendur edhe rastet për të cilat, sipas tij, Abazi ishte evidentuar nga organet e Kosovës, raporton Klankosova.tv.
“Urime, Kosovë!”, ka shkruar Rama në reagimin e tij, duke pyetur se si është e mundur që një person, të cilit më herët i ishte ndaluar hyrja në Kosovë, tashmë është pajisur me shtetësi.
“Ironikisht, ky që kundërshtoi shtetësinë e Kosovës, i sulmoj institucionet e Kosovës, rrezikoi jetën e zyrtarëve të Republikës së Kosovës dhe të cilit iu ndalua hyrja në territorin e Kosovës sepse përbënte rrezik kombëtar, tani bëhet qytetar i Kosovës!”.
“Ligjërisht, si e pajis një deputete dikë me shtetësi? Moralisht, pse duhet ta marrë shtetësinë e një shteti dikush që ka rrezikuar sigurinë e atij shteti? Cili është misioni i tij?”, shkroi mes tjerash Rama.









