Raundi i dytë i Zgjedhjeve Lokale në Kosovë: Numërohen votat e rregullta në 21 komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës tashmë ka numëruar votat e rregullta në të gjitha komunat dhe ka publikuar rezultatet preliminare në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, por në ditët e ardhshme do t’i numërojë edhe votat me kusht dhe ato me postë.

Në kryeqytetin kosovar, Prishtinë, sipas numërimit të 100 për qind të votave preliminare ka fituar kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me 51,07 për qind kundrejt kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) me 48,93 për qind.

Në komunën e dytë më të madhe në Kosovë, Prizren, garën e ka fituar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 51,01 për qind të votave kundrejt LVV-së e cila mori 48,99 për qind.

Në Komunën e Gjilanit ka fituar LVV me 51,03 për qind, e cila garoi me LDK-në e cila mori 48,97 për qind.

Komuna e Gjakovës për katër vitet e ardhshme do të qeveriset nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e cila mori 56,06 për qind kundrejt LVV-së me 43,94 për qind të votave.

Sa i përket komunave më të vogla, PDK ka fituar në raundin e dytë edhe Komunën e Vushtrrisë, Drenasit, Dragashit dhe Kaçanikut.

LDK përpos Prishtinës, në raundit e dytë ka fituar edhe në Istog, Fushë Kosovë, Viti dhe Junik. LVV në këtë raund ka fituar në Podujevë, Kamenicë dhe Shtime.

Ndërsa, AAK-ja, përpos Gjakovës, ka fituar edhe në Rahovec. Në Mamushë ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP), në Malishevë Nisma Socialdemokrate, në Obiliq Iniciativa Qytetare për Obiliq, ndërsa në Kllokot Lista Serbe.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në balotazh, në 21 komuna ka qenë 1.260.571, ndërsa jehona e votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale deri në mbylljen e vendvotimeve ka qenë 37,85 për qind apo 475 751 votues.

Këto zgjedhje për kryetarë të komunave janë të pestat me radhë, që nga mbajtja e parë e tyre në periudhën e pasluftës, në vitin 2000.

Në këto zgjedhje gjithsej për postin e kryetarit të komunës kanë qenë 166 kandidatë, ndërsa rreth 5 mijë e 300 kandidatë garuan për pozitën e anëtarit të Kuvendit Komunal në komunat përkatëse më 17 tetor, në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu